
Lewis Hamilton respekton parashikimet duke fituar në garën e shtëpisë pasi fati i dha një dorë të madhe në pistën e Silverstone.
Piloti britanik i Mercedes përfitoi nga problemet në makinën e Rosberg, i cili braktisi garën që e kryesoi në pjesën më të madhe.
Që kjo do të ishte një garë e pazakontë, kjo u pa që në xhiron e dytë ku pas një starti të rregullt, finlandezi Kimi Raikkonen u përfshi në një aksident të rrezikshëm që fatmirësisht përfundoi me një ndrydhje në kavilje për ferraristin.
Ish kampioni i botës, në tentativë për t’u rikthyer në pistë doli sërish nga asfalti i Silverstone duke shkatërruar njëvendëshen e tij.
Komisarët ndërprenë menjëherë garën, që nisi pas rreth një ore me Nico Rosberg në radhën e parë, por me Hamilton që ishte ngjitur në pozicionin e katërt.
Sërish të gjithë në start, por nisja u krye nën regjimin e makinës së sigurisë. Hamilton përfitoi menjëherë duke sulmuar Magnussen dhe disa xhiro më pas shënjestroi Button, të cilin e parakaloi pas disa xhirosh.
Gjithçka u rikthye në normalitet me dy skuadrat Mercedes në vendin e parë ku Nico Rosberg menaxhoi gomat, duke ruajtur një distancë sigurie nga shoku i skuadrës.
Në pjesën tjetër të garës, Alonso tregoi paraqitjen më pozitive të sezonit, pasi nga vendi i 13-të arriti të ngjitej pas njëvendeshes së Button në xhiron e 24-t, duke kërkuar vendin e pestë.
Gjithsesi, me futjen në bokse, spanjolli respektoi edhe dënimin prej 5 sekondash për shkak të një parregullsie në startin e garës.
Në xhiron e 29-të, gara e Nico Rosberg mori një goditje të rëndë pasi kambio e njëvendëshes u bllokua në marshin e gjashtë, duke mbyllur këtu garën e kryesuesit të renditjes së përgjithshme.
Gjermani hapi krahun dhe publiku shpërtheu në delir pasi Lewis Hamilton u ngjit në krye pa asnjë kundërshtar në gjurmët e tij.
Me shkëputjen e britanikut, gara e vërtetë u spostua në radhët e makinave ndjekëse ku Bottas rezultoi surpriza e vërtetë, pasi rrëmbeu vendin e dytë të podiumit në dëm të australianit Riccardo, ndërsa Alonso u rikthye kompetitiv duke parakaluar Vettel në xhiron e 35, edhe pse 3 xhiro më pas 4 herë kampioni i botës tentoi t’i tregonte targën, por një gjë të tillë e bëri vetëm për pak metra.
Gjatë gjithë xhirove të mbetura, plani i parë i regjisë u fokusua te ky duel ku gjermani tentoi disa herë t’i rrëmbente vendin e pestë spanjollit dhe ia doli në xhiron e 48-të me një frenim të pabesueshëm në fundin e pjesës së drejtë.
Vendi i pestë shkoi për kampionin e botës në fuqi, ndërsa dy shkallët e podiumit u plotësuan nga Bottas e Ricciardo, të ndjekur nga Button.
Me këtë fitore, Lewis Hamilton ngushton në 14 pikë diferencën me Nico Rosberg që vazhdon të mbajë vendin e parë të klasifikimit.
Ky është suksesi i dytë në karrierë për Hamilton në pistën e Silverstone dhe i pesti për këtë sezon. Gara e ardhshme do të zhvillohet në pistën e Hockenheim për Çmimin e Madh të Gjermanisë në datën 20 Korrik.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





