
Dëmtimi i Neymar në çerekfinalen kundër Kolumbisë ngjall reagimin e disa prej emrave më të njohur të botës së sportit, të cilët dalin në krah të yllit brazilian, duke i dhënë kurajo. Argjentinasi Lionel Messi, që është edhe shok skuadre te Barcelona me 22-vjeçarin, shkruan: “Neymar, miku im, shpresoj që të rikuperohesh sa më shpejt”.
Është ky mesazhi që Messi i dërgoi nga Facebook si në spanjisht ashtu edhe në anglisht. Por nëse Messi mendon të mbështesë Neymar, Kobe Bryant shfryn ndaj lojtarit kolumbian, Camillo Zuniga.
“Goditja ndaj Neymar është një shembull i keq dhe pa klas për ata që konkurrojnë në sport”, shkruan lideri i Los Angeles Lakers.
Ndërkohë, mbrojtësi David Luiz u shfaq mjaft i mërzitur përpara mediave braziliane, pavarësisht paraqitjes së shkëlqyer dhe golit të shënuar në fitoren e Brazilit.
Sipas tij, çdokush në skuadër është i mërzitur për atë që i ndodhi sulmuesit.
Për kapitenin Thiago Silva, Neymar që e ka ëndërruar që fëmijë pjesëmarrjen në Botëror është një nga ata lojtarë që i jep futbollit gëzim dhe magji.
Mbrojtësi e pranon se Brazili është i varur nga 22-vjeçari, pasi ai bën diferencën në fushën e lojës. Në fund, Thiago Silva shton se të gjithë shokët e skuadrës do të luftojnë për ta fituar Kupën e Botës edhe për të.
Ndërkohë vetë kolumbiani Camillo Zuniga shprehet se faulli i tij nuk kishte për qëllim dëmtimin e sulmuesit.
“Nuk veprova për të dëmtuar. Në fushën e lojës luajmë fort, por asnjëherë për të dëmtuar kundërshtarët”, qartësoi mbrojtësi i Napolit.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





