
Shkup, 4 korrik 2014, NOA.al- Dhjetëra protestues kanë ngelur të plagosur pas përleshjeve me policinë në Shkup, të nisura kundër rasteve të montuara për shqiptarët dhe dënimit me burg të përjetshëm.
Situata është tensionuar në momentin që protestuesit kanë gjuajtur me gurë kundrejt gjykatës, gjë e cila ka bërë që forcat policore të reagojnë. Ata kanë përdorur gaz lotësjellës, bomba dhe topa me ujë kundër protestuesve, në zonën e njohur si Bit Pazari në Shkup.
Ish kreu i vendit, Sali Berisha, ka reaguar kundrejt dhunës së ushtruar ndaj protestuesve shqiptarë, të cilët ai i ka cilësuar si paqësorë.
“Te dashur miq, shqiptarët në Shkup muajt e fundit janë përballur me dhunë dhe terror, si të ekstremistëve albanofobë maqedonas ashtu dhe të autoriteteve policore të këtij vendi”, shkruan Berisha në Facebook.
Sipas tij, pak kohë më parë, një krim i dënueshëm, vrasja e një të riu maqedonas nga një i ri shqiptar, u përdor si pretekst nga ultranacionalistët maqedonas për të djegur, shkatërruar, plaçkitur pa dallim të gjitha lokalet, dyqanet, pronat e shqiptarëve të lagjes ku ndodhi krimi.
“Autoritet maqedonase ndërhynë por me plogështi dhe me vonesë ndaj këtyre akteve që të sillnin në mendje një mininatë të kristaltë në Shkup ndaj shqiptarëve. Sot, një protestë paqësore e shqiptareve kundër dënimit të përjetshëm të 6 shqiptarëve si autorë të një krimi monstruoz, vrasjes së dy viteve më parë të 5 maqedonasve, degradoi në një dhunë të egër policore ku pati dhjetëra protestues të lënduar madje dhe rëndë nga policia”, thotë ish kreu i shtetit.
Ai shprehet më tej se duke dënuar me ashpërsi dhunën ndaj protestuesve paqësor u bën thirrje autoriteteve të Maqedonisë të ndëshkojnë me forcën e ligjit autoret e kësaj dhune. “Ftoj qytetarët shqiptar të ruajnë gjakftohtësinë dhe shmangin përkeqësimin e gjendjes tejet të nderë në marrëdhëniet ndëretnike në Shkup”, përfundon Sali Berisha reagimin e tij. /a.s/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





