
Luis Felipe Scolari kërkon të ulë tensionin në skuadrën e tij para çerekfinales së Botërorit ndaj Kolumbisë. Sipas Felipes, jeta do të vazhdojë edhe nëse Brazili i tij eliminohet në sfidën e së premtes.
“Nëse humbasim nuk do të jetë fundi i botës. Në duhet të hedhim hapin e 5-të në këtë turne, për të shpresuar më pas tek suksesi në dy sfidat e fundit.
Do të kemi përballë një kundërshtar më të fortë se Kili. Kolumbia më pëlqen shumë sesi luan, di ta qarkullojë topin dhe është shumë e disiplinuar.
Ata kanë më shumë talent sesa kilianët, por ne i kemi armët për t’i mposhtur.
Më pas Scolari foli për temën e ditës që është prania në skuadër e një psikologeje femër. Aludime të shumta bëjnë me dije se Regina Brandao është thirrur nga 5-herë kampionët e Botës për të ngritur moralin e tyre pas fitores së vështirë me Kilin, megjithatë Felipao u përpoq të sqarojë gjithçka.
"Mendoj se këtu ka një keqkuptim. Takimi me psikologen Regina Brandao ishte parashikuar kohë më parë. Do të vijë të flasë të dielën dhe të hënën, kjo në varësi të rezultatit me Kolumbinë.”
Për trajnerin e Kolumbisë Jose Pekerman, njeriun që i ka dhënë një tjetër dimension kësaj skuadre, përballja me Brazilin në çerekfinale duhet të jetë një motivim dhe një nxitje më tepër për Los Cafeteros.
“Jam shumë i lumtur sepse do të kemi përballë 5-herë kampionët e Botës. Brazili admirohet nga të gjithë për atë që ka bërë deri tani në historinë e këtij sporti, por admirohet edhe për filozofinë që ka dhe për lojën e bukur që zhvillon.
E dimë që do të jetë një ndeshje e vështirë. Brazili është një kundërshtar i një niveli shumë të lartë megjithatë ne jemi përgatitur për ta shijuar këtë ndeshje”.
Përsa i përket formacionit dhe rëndësisë që do të kenë tifozët në këtë përballje, Pekerman u përgjigj:
“Besoj se publiku do të jetë një faktor shumë i rëndësishëm për Brazilin. Për ne kjo sfidë do të jetë një provë shumë e mirë dhe shpresoj që të tregojmë po atë në nivel loje që na ka dhënë kaq shumë kënaqësi në katër ndeshjet e para.
Formacioni titullar? Thuhet se ai ekip që fiton nuk ndryshon, megjithatë kemi parë edhe situata që nuk ndodh gjithmonë një gjë e tillë”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





