
Kukës, 4 korrik 2014, NOA.al- Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha mori pjesë në Kuvendin Zgjedhor të Partisë Demokratike të Kukësit.
Basha solli në vëmendje atë që e quajti diskriminimin që qeveria po iu bën zonave që nuk votuan për të, ndër të cilat është edhe Kukësi i cili ka përfituar zero fonde gjatë këtij vitit.
“Në 10 muaj kjo mazhorancë, nuk ka sjellë asgjë të mirë për vendin, vetëm përkeqësim në çdo fushë. Pushteti në filozofinë e rilindjes, është mall që blihet dhe shitet. Halli i madh që ka zënë këtë vend është fakti se Edi Rama dhe ilir Meta, siç e faktuan edhe këtu në Kukës, e para çdo shqiptari nuk e kanë ndërmend të prodhojnë asgjë të mirë për këtë vend . Nuk e kanë pushtetin për qytetarët, për shqiptarët, për të bërë diçka për të përmirësuar diçka në fund të fundit, për të lënë një gjurmë, e kanë vetëm për veten e tyre, e kanë mall prandaj e blejnë. Se blejnë votat, se blejnë kryetarë bashkie, se blejnë vullnete, është një krim i rëndë, është korrupsion politik. Po nuk ndalen me kaq. Pasi kanë marrë pushtetin kanë promovuar nga Parlamenti e deri në postet më të larta drejtuese njerëz të lidhur kokë e këmbë me krimin”, tha Basha.
Ndërkohë Basha ka uruar edhe Kryeministrin Edi Rama për ditëlindjen e tij të 50-të.
Për këtë rast ai ka thënë se, “Meqe ka ditëlindjen, le t’i urojmë gëzuar nga Kukësi sipas zakoneve tona fisnike. Dikush kishte vënë re se është më i moshuari mes Presidentit, Kryetarit të Kuvendit dhe shefit të opozitës. Këtë që është i vjeter, e më i vjetri, kush nuk e di, por kilometrazhin se kishte treguar deri tani, e paska dhe kilometrazhin”./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





