Transmetuar më 04-07-2014, 14:17

Tiranë, 4 korrik 2014, NOA.al- Partia Demokratike nëpërmjet deputetit demokrat Oerd Bylykbashi, ka denoncuar shkarkimet në administratë.

Deputeti demokrat tha se Ministrja e Mbrojtjes ka paralajmëruar spastrimin e ri në administratë, i planifikuar nga dyshja Rama-Meta, pas marrjes së statusit të vendit kandidat.

“70 nëpunës civilë janë thirrur sot në Ministrinë e Mrojtjes ku u është kërkuar të japin dorëheqjen, ose të kalojnë në listë pritje. Fushata e re e spastrimit në administratë ishte denoncuar nga Partia Demokratike e cila ka shprehur publikisht dyshimet e saj dhe këtë ua ka bërë të ditur edhe ndërkombëtarëve. Ne i kërkojmë sot qeverisë dhe dyshes Rama-Meta, të heqin dorë menjëherë nga ky plan i turpshëm i spastrimit të ri në administratë. Skenari i krijimit të vendeve për militantët e partisë dhe i largimit të profesionistëve të fundit që kanë mbetur, është i frikshëm për një vend që ka marrë statusin e kandidatit, dhe ky skenar do të përballet me protestën më të fortë qytetare”, deklaroi Bylykbashi.

Ai tha se Partia Demokratike i kërkon Bashkimit Europian të dërgojë menjëherë një mision monitorimi për të parë nga afër krimin e qeverisë me administratën, me asetin më të cmuar publik në rrugën e integrimit europian.

Reagon Ministria e Mbrojtjes

Ministria e Mbrojtjes hedh poshtë deklaratat e opozitës sipas të cilave nëpunës civil po largohen nga administrata.

Pas miratimit të strukturës së re të Forcave të Armatosura nga presidenti i Republikës, ministri i Mbrojtjes ka nisur procedurat ligjore në bazë dhe në zbatim të dekretit të Presidentit të Republikës.

Saktësojmë se të gjitha veprimet do të  kryhen konform urdhërit të dalë nga ministri i Mbrojtjes, bazuar në dekretin e Presidentit të Republikës së Shqiperisë Nr 8892, dt 17.06.2014 “Për miratimin e strukturës organizative të FA-së” dhe dekretit të Presidentit të Republikës së Shqiperisë Nr 8593, dt 17.06.2014 “Për miratimin e planit të vendosjes dhe përhapjes së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqiperisë”./a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit