
Laç, 4 korrik 2014, NOA.al- Një i ri është gjetur pa jetë gjatë ditës së sotme në Kishën e Laçit. Sipas burimeve të NOA.al mësohet se ai është 29 vjeçari Dorian Ferza, me origjinë nga qyteti i Laçit.
Sipas policisë, familjarët kanë bërë të ditur se viktima kishte jetuar prej vitesh në Greqi dhe prej një viti ishte kthyer në Shqipëri, ku ishte edhe i papunë. Ferza jetonte bashkë me familjarët në kryeqytet.
Ai është nisur ditën e djeshme nga shtëpia. 29 vjeçari ishte i qetë sipas familjarëve dhe mbante veshur një palë pantallona të shkurtra dhe një bluzë.
Mendohet se Dorian Ferza ka mbërritur në Kishën e Laçit i ndihmuar nga shokë të tij, pasi nuk kishte lekë me vete. Aty ai ka gjetur edhe armën tip kallashnikovë, të cilën e ka marrë dhe është ngjitur në pjesën e ngritur të Kishës, në zonën ku ndodhet edhe kryqi.
Sipas burimeve të NOA.al, ai ka vënë kallashin në mes të këmbëve dhe tytën e saj në gojë, duke kryer aktin e vetëvrasjes. Në vendngjarje është gjetur vetëm një gëzhojë.
Dorian Ferza përshkruhet nga familjarët si një person i qetë, që nuk ngatërrohej me të tjerët dhe si tip i mbyllur. Ai vuante nga probleme të brendshme siç është dhe stresi. Mendohet se vetëvrasja mund të jetë kryer në mesnatë, ndërsa trupi i tij është gjetur rreth 12 orë më pas, në mesditë. /k.k/a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





