
Tiranë, 4 korrik 2014, NOA.al- Me rastin e përvjetorit të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Presidenti Bujar Nishani i ka dërguar një mesazh urimi Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikësm Barack Obama.
Në mesazhin e tij, kreu i shtetit shpreh urimet për popullim amerikan, ndërsa ndalet në rëndësinë e lidhjeve mes dy popujve.
Mesazhi i Nishanit:
“I nderuar Zoti President,
Me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kam kënaqësinë e madhe që, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t’Ju përcjell Juve dhe popullit mik amerikan përshëndetjet e sinqerta dhe urimet më të përzemërta!
Dëshiroj të nënvizoj me kënaqësi lidhjet e forta njerëzore dhe miqësore, të pasura dhe jashtëzakonisht dinamike, në të cilat bazohen marrëdhëniet mbi njëshekullore shqiptaro-amerikane, si edhe t’ju ripohoj angazhimin tim e të vendit tim për vazhdimësinë dhe pasurimin e mëtejshëm të tyre.
Përfitoj nga rasti, Zoti President, t’ju siguroj se vendi im do të vazhdojë të luajë një rol konstruktiv në mbështetje të paqes e stabilitetit të qëndrueshëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe se do të jetë përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve tanë, në Afganistan e kudo ku kërkohet përballja me sfidat e sigurisë dhe paqes, mbrojtjes së vlerave të lirisë e demokracisë.
Ne vlerësojmë lart dhe mbetemi të përkushtuar në partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe jemi mirënjohës për mbështetjen e madhe amerikane në anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe përkrahjen e vazhdueshme ndaj integrimit evropian të Shqipërisë.
Duke ju uruar edhe një herë festime të gëzueshme, si edhe duke ju ripohuar ndjenjat e miqësisë së thellë të popullit shqiptar, ju lutem pranoni, i nderuar Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë!”./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





