
Gjirokastër, 4 korrik 2014, NOA.al- (Perditesuar 16:45)Policia e Shtetit ka sekuestruar rreth 3 tonë drogë, e groposur në një kopsht, në Lazarat, gjatë ditës së sotme si dhe kanë gjetur një sasi e madhe armatimesh. Policia bën me dije se droga ishte e ndarë në 120 pako, ndërsa në gropën e hapur në një kopsht në shtëpinë e K. Buzherit u gjetën 88 pako tritol, 3080 fishekë dhe 1 mjet presimi.
Plot 383 kilogramë lëndë narkotike e llojit kanabis sativa u zbuluan dhe sekuestruan nga policia në kuadër të aksionit në fshatin Lazarat.
Gjatë kontrollit në një banesë u gjet lënda narkotike e fshehur në një bodrum të nëndheshëm të banesës.
Lënda narkotike në formën e boçes ishte fshehur në nëntë fuçi plastike dhe kishte një peshë totale prej 383 kilogramë.
Në vijim të kontrollit në banesë u gjetën edhe dy makineri për lojrat e fatit, duke bërë që të shpallet në kërkim i zoti i banesës A.Proko.
Në ngarkim të tij materialet i kaluan Prokurorisë për veprat penale prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike dhe organizim i lotarive të palejuara.
Ndërkohë rreth mesditës së sotme në lagjen "Gjoka", u zbulua një cisternë e madhe uji e mbushur me marijuanë në formë boçe. Në cisternë u gjetën 2 tonë e 430 kg lëndë narkotike. Lënda narkotike do të asgjësohet në vend me anë të djegies. Aktualisht vijon puna për zbulimin e personave që kanë fshehur lëndën narkotike në cisternë./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





