


Fotoja e një shtylle të lënë në mes të rrugës së sapo ndërtuar që të çon në plazhin e bukur të Drimadhës, ka mbushur rrjetet sociale në Shqipëri.
Asfaltimi i rrogës që të çon te ky plazh ka qenë një lajm i mirë për të gjithë pushuesit dhe turistët shqiptarë, por për çudi, punonjësit e mirëmbajtjes së rrugëve, kanë “harruar” një shtyllë elektrike në zonën e një prej plazheve më të bukur në vend, atë të Dhërmiut.
Në të vërtetë, firma që ka shtruar dhe sistemuar rrugën, ka lënë dy shtylla të tensionit të lartë në mes të rrugës, pa i hequr apo zhvendosur në anë fare. Një prej tyre është burim i vërtetë aksidentesh, pasi ndodhet në mes të korsisë, në një rrugë ku vijëzimi nuk lejon kalimin në krahun tjetër të rrugës.
Zona, e cila frekuentohet edhe nga turistë të huaj që zgjedhin të pushojnë në bregdetin shqiptar, mund të kthehet në një burim aksidentesh.
Kush e ka përgjegjësinë? Rruga e re është vetëm 3 kilometra dhe duket se firma ndërtuese nuk ka gjetur një marrëveshje me CEZ-in për të zhvendosur linjën elektrike.
Po ashtu rruga nuk ka asnjë ndriçim dhe natën është mjaft e rrezikshme. Tashmë “topin” në derë e ka Drejtoria e Rrugëve, pushteti lokal dhe kompania CEZ, të cilët duhet të gjejnë një konsensus për t’i dhënë plazhit të Drimadhës pak aromë Evrope…
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





