Transmetuar më 03-07-2014, 13:55

Gjirokastër, 3 korrik 2014, NOA.al- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Artan Didi, i shoqëruar nga Drejtori i Policisë së Qarkut Gjirokastër Haki Cako, zhvilloi një takim falenderimi me efektivat e policisë që morën e vazhdojnë të marrin pjesë në operacion në Lazarat.

Në këtë takim ishin të pranishëm Prefektja e Qarkut Zamira Rami, përfaqësues të komuniteit të biznesit, përfaqësues të institucioneve si dhe ishin të pranishëm përfaqësues të komuniteit të Lazaratit.

Drejtori i Përgjithshëm, gjatë fjalës së tij ka falënderuar efektivat e reparit Special RENEA, të reparteve të FNSH, si dhe efektivat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, për gjithë kontributin e tyre në këtë operacion tejet të vështirë, për kurajon dhe guximin, por mbi të gjitha për gjakftohtësinë dhe dashamirësinë që treguan ndaj komunitetit të Lazaratit.

Didi deklaroi se “Edhe pse ju u sulmuat me të gjitha llojet e armëve, ju treguat profesionalizëm, treguat humanizëm duke bërë më të mirën, dhe vetë faket e tregojnë këtë. Ju të gjithë së bashku i dhatë një fytyrë të re policisë, fituat besimin e humbur prej kohësh në komunitet, e tek ndërkombëtarët. Ky operacion tregoi më së miri se ku ka mobilizim, ku ka seriozitet dhe vendosmëri, policia funksionon si një skuadër dhe rezulatet janë të prekshme për të gjithë. Ne do të vijojmë operacionin në Lazarat për të garantuar rendin dhe qetësinë për banorët e ketij fshati si dhe më pas për të aplikuar të gjitha metodat e policimit në komunitet edhe në këtë pjesë të komunitetit siç po i aplikojmë në cdo cep të teritorit të vendit”.

Në vijim Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka falenderuar Prefekten e Qarkut , bizesmenët, drejtuesit e institucioneve dhe përfaqësuesit e komunitetit të Lazaratit, për gjithë kontributin e tyre dhe mbështetjen e dhënë për policinë gjatë operacionit kundër lëndëve narkotike./a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit