
Nga Ruben Avxhiu
2 Korriku 1990 solli në Shqipërinë komuniste përleshjen e parë masive mes popullit dhe aparatit policor që mbante në këmbë diktaturën. Ishte version shqiptar i rrëzimit të Murit të Berlinit, gati një vit pas rënies së tij. Ndonëse nata e thellë solli fitoren e policisë, me ndihmën e forcave speciale sampiste dhe të sigurimit, drejtuesit komunistë të vendit panë për herë të parë një shembull se çfarë mund të ndodhte në vendin më të duruar socialist të Europës Lindore. Ngjarja u pasuan nga “ditët e ambasadave”, kur regjimi kaloi nga dhuna për ndalimin e njerëzve që donin të iknin në Perëndim në lejen për të hequr qafe ata më të vendosurit. E gjitha kjo solli Shqipërinë në faqet e para të gazetave dhe në emisionet televizive perëndimore. Ajo që tërhoqi më pak vëmendje ishte se në të njëjtën ditë, në Kosovë u shënua një ngjarje gjithashtu rrënjësore për emancipimin politik dhe artikulimin e aspiratave të shqiptarëve nën Jugosllavi: Deklarata Kushtetuese e Pavarësisë së Kosovës. E lënë ndoshta rastësisht ose me qëllim afër 4 Korrikut, ajo i shpalli botës vullnetin e Kosovës për shkëputje nga Serbia e Jugosllavia. Ngjarja që shihet edhe sot si një lloj gur themeli në historinë e lëvizjes moderne shqiptare për pavarësi, kaloi pa shumë interes në median ndërkombëtare. Rastësia që dy ngjarjeve të tilla që ndodhin gati vetëm një herë në gjeneratë rastisën në të njëjtën ditë kanë ndezur hipotezat se ngjarja në Tiranë ishte e “kurdisur” nga jugosllavët për të tërhequr vëmendjen nga ngjarjet e Kosovës. Vërtet që nga të dyja ndonëse ajo e Kosovës ishte më simbolike, ishte kjo e Tiranës që tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare. Vetë sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Perez de Kuelar erdhi në atë kohë në Shqipëri për të zgjidhur krizën humanitare që rrezikohej të krijohej nga bllokimi i njerëzve pa kushte jetese nëpër ambasada (qeveria e Tiranës, pasi lejoi për disa ditë hyrjen riktheu ndalimin, ndërsa mijëra vetë mbetën në oborret e ambasadave perëndimore pa kushte higjiene e të pasigurt për të ardhmen). Ideja që 2 Korriku i Tiranës ishte organizuar nga Beogradi i shkonte kuptohet më shumë për shtat komunistëve në fuqi, si dhe atyre që sot vazhdojnë hakmarrjen e vogël e të butë kundër atyre që ua prishën qetësinë e “parajsës komuniste”. Nga ana tjetër hipoteza mbështetet edhe nga antikomunistët që shohin dorën e Beogradit jo te ata që u ngritën në 2 Korrik por te qeveria e Tiranës që sipas tyre vepronte në koordinim me qeverinë jugosllave. Përtej retorikës publike, sipas këtij skenari, klikat e Tiranës dhe Beogradit në fakt bashkëpunonin si të vetmet që ishin në këmbë të pazgjedhura në mënyrë demokratike në Europën që po ndryshonte. Ideja se në Tiranë u ngritën për të sabotuar zhvillimet e Prishtinës u shkon për shtat edhe atyre në Kosovë që kanë një mëri të vjetër ndaj Tiranës, mëri e cila varion nga një ambicie e shëndetshme për ta emancipuar Prishtinën si një qendër të pavarur kulturore, politike e kombëtare siç e meriton e deri te mëria e absurde provincialiste që nuk i shërben askujt. Gati çerekshekulli më vonë të dy ngjarjet mund të vihen më lehtë në perspektivë. Ndërkohë që nuk është çudi që jugosllavët të kenë përfituar nga zhvillimet në Tiranë, rastësia në një ditë e të dy zhvillimeve nuk i ka penguar në realitet dy proceset paralele të demokratizimit të Tiranës dhe pavarësimit të Prishtinës. Përkundrazi të dy proceset kanë ndihmuar njëri-tjetrin. Nga pikëpamja praktike, nuk ka dyshim që në Shqipëri ka pasur agjentë jugosllavë, por aftësia e tyre për të nxitur një përplasje të përmasave të 2 Korrikut ka qenë shumë e kufizuar. Është diçka që mund ta besojë vetëm dikush që ka një përfytyrim të ekzagjeruar të aftësive të kundërshtarit rajonal. Në të dy zhvillimet e kohës ka disa gjëra që janë të pashmangshme dhe që zvogëlojnë rëndësinë e çfarëdo manipulimi të mundshëm nga Beogradi millosheviçian dhe Tirana komuniste. Së pari, përmbysja e komunizmit në Shqipëri do të ndodhte si me ashtu edhe pa përballjen e 2 Korrikut. Në fakt, komunistët shqiptarë mund të shohin me çlirim kujtimin e asaj date. Shfryrja e dufit masiv, largimi në Perëndim, zgjimi i shpresës për zgjidhje personale në vend të asaj kolektive, etj mund të kenë shmangur një përplasje që po të ishte shtyrë mund të kishte sjellë një version shqiptar të ngjarjeve në Rumani, ku diktatori në fuqi u pushkatua. 2 Korriku mund të ketë bindur përfundimisht komunistët në fuqi për shpejtësinë e rrokullisjes së ngjarjeve dhe që së bashku me përvojën rumune të kenë bërë që në Dhjetor 1990, të pranoheshin kërkesat e studentëve në vend që të provohej shtypja me dhunë. Në krahun tjetër të kufirit, duhet pranuar një gjë e rëndësishme: Shpallja e Pavarësisë nuk humbi në sytë e medias perëndimore për shkak të rastësisë me ngjarjen e Tiranës, por sepse Çështja e Kosovës ishte ende e panjohur për opinionin masiv. Vëmendja ishte në zhvillimet në Bashkimin Sovjetik dhe në republikat veriore jugosllave. Diplomacia perëndimore nuk dinte ende çfarë të bënte me Kosovën. Shpresa në Perëndim ishte se Jugosllavia nuk do të shpërbehej dhe se demokratizimi do të vinte për mbarë federatën. Nuk kishte ndonjë përpjekje për të nxitur dëshirën shqiptare për pavarësi. Do të duheshin vite të tëra pune lobimi në SHBA e Europë, zhvillimet e luftës tragjike në Ballkan, demaskimi i synimeve dhe natyrës reale të regjimit të Millosheviçit si dhe qartësimi për pashmangshmërinë e shkëputjes së Kosovës që do të bindnin më në fund Perëndimin se pavarësia ishte e vetmja zgjidhje praktike dhe morale. T’ia vësh fajin një demonstrate në Tiranë për heshtjen ndaj Shpalljes së 2 Korrikut është pra, më së paku e nxituar. Si organizimi i shqiptarëve të Kosovës për një të ardhme tjetër, ashtu edhe demokratizimi i Shqipërisë ishin dy zhvillime që ishin vonuar e nuk mund të prisnin më. Nuk mund të pretendoje t’i kërkoje asnjërës palë në të dy anët e kufirit që të priste tjetrën. Këmbëngulja e disa intelektualëve kosovarë se shqiptarët në Tiranë duhej të mos destabilizonin regjimin komunist për hir të çështjes së Kosovës apo pikëpamjet e disa aktivistëve antikomunistë në Tiranë se kosovarët nuk kishin arsye të nxitoheshin se ishin më mirë ekonomikisht ishin imorale dhe injorante. Kosova nuk do të mund të siguronte mbështetjen dhe angazhimin perëndimor pa rrëzimin e komunizmit në Shqipëri. Përkundrazi, përpjekja e Kosovës do të kompromentohej dhe përbaltej nga pozicioni izolacionist e antiperëndimor i regjimit komunist në Shqipëri. Nga ana tjetër një demokratizim real i Shqipërisë në kuadrin e një Kosove pa rrugëdalje mund të kthehej në një riciklim të kotë të situatave të dhunshme. Jo më kot, vetëm pas çlirimit të Kosovës erdhi edhe stabilizimi i demokracisë në Shqipëri. Të dy ngjarjet janë mbase një lloj dëshmie se ndonëse i ndarë me kufij shtetërorë, zemra e kombit shqiptar rrihte me të njëjtin ritëm dhe prodhonte ngjarje të njëkohshme. Për fat të mirë, sot pas 20 vitesh Kosova është e pavarur dhe Shqipëria po bëhet pjesë e hapësirës së demokracisë liberale në botë. Që këtej është më e lehtë të diskutojmë për atë ngjarje ku kërcyem me të dy këmbët njëkohësisht në kapitullin e ri të historisë, nga dëshira për të mos mbetur më mbrapa.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





