Transmetuar më 02-07-2014, 14:38

Disa media ranë viktimë shpejt dhe publikuan dje e sot, shkrime lavdëruese me foto, për atë që e quajnë plazh publik me standarde bashkëkohore që vjen për herë të parë në Shqipëri.

Ata madje cituan zyrtarë të lartë përfshirë kryeministrin Edi Rama për këtë risi.

Por e vërteta është ndryshe.

Një plazh publik i tillë nuk ekziston.

Në të vërtetë bëhet fjalë për një plazh privat, i quajtur “Miami 2”, i cili është çelur në Golem, ku sigurisht duhet të paguash që të qëndrosh.

E në këtë plazh, pronarët kanë menduar që të krijojnë kushte, deri dhe një minibibliotekë modeste për pushuesit.

Po ashtu, “Miami 2” ka vendosur dhe roje bregdetare”.

Këto avantazhe të këtij plazhi privat, u shitën si standarde të një plazhi publik që gjendet aty afër.

Autoritetet nuk e përgënjeshtruan lajmin e publikuar, mesa duket, i shijoi publiciteti i pamerituar.

Në pamjet më poshtë, gjeni saktësisht se kush është plazhi privat dhe cili është ai publik.

Në këtë mënyrë qytetarët që me të drejtë reaguan në rrjete sociale duke qenë të paqartë, informohen drejt, që të mos shkojnë te privati e të paguajnë, duke u irrituar me idenë se janë duke qëndruar në plazh publik, pra shtetëror.

Më poshtë mund të ndiqni pamjet e plazhit publik dhe atij privat ngjitur me të.

Kryeministri Edi Rama e vizitoi këtë plazh privat në Golem, ku vlerësoi faktin se për herë të parë janë ngritur kulla e rojës bregdetare (të tilla kulla prej disa vitesh funksionojnë në disa plazhe të tjera private), biblioteka e plazhit si dhe zona e përcaktuar për të notuar. Kryeministri e vlerësoi një model të standardit që duhet të ofrojnë plazhet tona. /noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit