
Tiranë, 2 korrik 2014, NOA.al- Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë një takimi me përfaqësues të njësive vendore tha se opozita e ka pasur gjithmonë derën hapur për konsensus politik dhe i bëri thirrje mazhorancës të reflektuar për reformën territoriale.
“I bëj thirrje mazhorancës të reflektojë dhe t’i hapë derën një projekti të tillë. Konsensusi është garancia se bashkë, opozitë dhe shumicë do të ulemi për të zgjidhur më shumë dhe më shpejtë problemet, duke ofruar vizione dhe perspektiva për të parë përpara dhe për t’iu përgjigjur zhvillimeve dinamike”, tha Basha.
Ai tha se opozita e ka mbajtur derën të hapur dhe vazhdon të japë opsione për bashkëpunim të vërtetë për një reformë territoriale.
Por, sipas Bashës, mazhoranca ka refuzuar konsensusin politik dhe e ka zëvendësuar me një pseudo-konsensus në sallën e Kuvendit.
“Në nisje të reformës [territoriale] artikuluam një kriter dhe një parim të domosdoshëm për këtë reformë, që është konsensusi politik, si një minimum i vendimmarrjes së kësaj reforme, të cilën asnjë palë nuk e ka realizuar kurrë vetëm. Ajo duhet t’i mbizotërojë si mazhorancave afatshkurtra dhe atyre afatgjata pasi në qendër të saj duhet të jenë interesat e qytetarëve shqiptarë”, tha Basha.
Kryetari i shoqatës së bashkive, kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe kryetari i opozitës Lulzim Basha ka hedhur poshtë çdo spekulim lidhur me hartë, të opozitës. Basha, edhe në emër të përfaqësuesve të 386 njësive vendore ka qenë i prerë në qëndrimin e tij, se interesi i vetëm i tyre është gjetja e mënyrave për t’u shërbyer më mirë qytetarëve.
“Të tjerë kanë thënë se opozita do të kërcasë dhëmbët e do të nisë betejën politike, por në fakt asnjëra dhe as tjetra nuk qëndrojnë, të dyja janë pjesë të një mentaliteti kryekëput larg realitetit, larg qytetarit dhe bazuar vetëm në interesin e ngushtë politik, interes që jo rrallë herë ka verbuar dhe shurdhëruar pushtetarët në këtë vend dhe jo vetëm. Sot, jemi mbledhur këtu, si mbartës të mandateve përfaqësuese, të zgjedhur me votën e lirë të qytetarëve shqiptarë, pa dallime politike, të shtyrë pikërisht nga interesi i qytetarëve shqiptarë. Si mund të mundësojmë më shumë investime dhe investime më cilësore, shërbime më të shpejta, e më të pakushtueshme, barrë fiskale të përballueshme, transparencë dhe llogaridhënie?! Ky është interesi që na ka mbledhur këtu në këtë sallë dhe ana tjetër e medaljes është frika jo në emrin tonë, as të njësive që ne përfaqësojmë, por në emër të qytetarëve shqiptarë dhe të këtij vendi se diku, disa, janë ulur që në fillim të këtij procesi, jo me interesin më të mirë të qytetarëve në mendje por me interesa dhe llogari paraelektorale, elektorale dhe politike në mendje dhe në zemër”- u shpreh z. Basha.
Ai deklaroi se në qendër të kësaj reforme duhet të jetë interesi qytetar, shërbimi ndaj qytetarëve dhe jo harta, siç e ka përcaktuar si prioritet mazhoranca.
Kryetari i shoqatës së bashkive dhe lideri i opozitës Lulzim Basha ka shprehur gatishmërinë, për tu ulur e diskutuar me mazhorancën, për të arritur në një reformë reale, ku të dëgjohet zëri i të gjithë qytetarëve dhe produkti final t’u shërbejë atyre.
Platforma për reformën e vetëqeverisjes vendore, përbëhet nga këto parime:
1. Decentralizimi dhe zgjerimi e konsolidimi i autonomisë vendore duhet të jetë drejtimi themelor dhe udhëheqës i reformës.
2. Reforma duhet të bazohet dhe udhëhiqet nga parimet e demokracisë së drejtpërdrejtë dhe përfaqësuese, të shërbimit sa më pranë qytetarit, të partneritetit dhe bashkëpunimit, të shpërndarjes së drejtë të burimeve dhe mbështetjes së njësive vendore me mundësi më të pakta, të transparencës dhe llogaridhënies sa më pranë qytetarëve dhe komunitetit.
3. Riorganizimi territorial i njësive të qeverisjes vendore në çdo nivel duhet të pasqyrojë identitetin e komunitetit të banorëve të krijuar përgjatë historisë dhe ta harmonizojë atë me funksionalitetin e njësive të reja qeverisëse.
4. Procesi i hartimit të reformës decentralizuese, administrative e territoriale dhe miratimi i saj të kryhet vetëm përmes konsensusit të plotë politik në Kuvendin e Shqipërisë.
5. Çdo komunitet vendor të ketë mundësinë të shprehë qëndrimin pro apo kundër ndryshimit të kufijve vendorë, siç sanksionohet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





