Transmetuar më 02-07-2014, 09:04

Mazhoranca i ka kërkuar Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, të rihapë garën për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë. Dy kryetarët e grupeve parlamentare, ai i PS-së, Gramoz Ruçi dhe ai i LSI-së, Petrit Vasili, i janë drejtuar me një letër kreut të shtetit, ku i sugjerojnë atij që të rinisë një proces përzgjedhës, bazuar në kriteret ligjore, në përputhje me kërkesat e Kushtetutës për kualifikimin që kërkon një gjyqtar i Gjykatës së Lartë.

Pak ditë më parë, presidenti Nishani ftoi të gjithë kryetarët e grupeve parlamentare për konsultime në lidhje me këtë çështje, ndërsa më 30 qershor përfundoi edhe afati i vendosur për dorëzimin e dokumentacionit nga kandidatët.

Duket se palët nuk kanë rënë në dakordësi për përzgjedhjen e gjyqtarit në vendin që mbeti bosh, edhe pas rrëzimit të kandidaturës së Alaudin Malajt, kohë më pare, citon Gazeta Shqiptare.

Sipas letrës, thuhet se palët janë ë vetëdijshëm në përmbushjen e përgjegjësive kushtetuese për të realizuar me Presidentin e Republikës një proces luajaliteti kushtetues institucional, të bazuar mbi një bashkëpunim korrekt, të sinqertë dhe të vërtetë, të kryer vetëm mbi një vlerësim objektiv, proporcional dhe të arsyeshëm.

“Takimet tona kanë qenë formale dhe në asnjë rast nuk jemi njohur me shkallën e plotësimit të kritereve objektive nga secili kandidat. Me qëllim zgjedhjen për gjyqtar të Gjykatës së Lartë, të kandidaturave që, krahasuar me të tjerët arrijnë të përmbushin në nivelin më të lartë cilësor, misionin kushtetues që ka Gjykata e Lartë për njehsimin e praktikës gjyqësore si dhe për të garantuar qëndrueshmërinë në zbatimin e së drejtës, të bindur se korrupsioni i kudogjendur në strukturat shtetërore e veçanërisht në sistemin e drejtësisë, kërkon angazhimin e gjyqtarëve me integritet moral dhe profesional, krerët e grupeve të PS-së e LSI-së i kërkojnë presidentit të rishohë qëndrimin e tij në këtë proces”, shkruhet në letrën që mban firmën e krerëve të këtyre dy grupeve parlamentare, Gramoz Ruçit dhe Petrit Vasilit.

Në letër shkruhet se në asnjë nga këto takime nuk u mundësua konsultimi për përcaktimin e kritereve shtesë, bazuar mbi listën e kandidatëve, siç detyrojnë ndryshimet e reja ligjore të miratuara konsensualisht.

Në vijim, për këtë arsye ata sugjerojnë të rihapet procesi i kandidimit, duke mos e mbajtur atë peng të listave të mëparshme, duke mbajtur në konsideratë edhe faktin e njohur publikisht se, Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar së fundmi, si antikushtetuese dy dispozita të ligjit ‘Për Gjykatën e Lartë’, të cilat lidhen drejtpërdrejt me disa nga kriteret objektive dhe kriteret shtesë.

“Procesi përzgjedhës e konsultues të jetë sa më transparent, nëpërmjet një seleksionimi korrekt e të paanshëm, bazuar në kushtet e kriteret ligjore, duke respektuar fort kriteret objektive dhe kriteret shtesë, bazuar në listën e konkurrentëve, në përputhje me kërkesën kushtetuese për kualifikim të lartë. Ne kemi kërkuar në vazhdimësi nga Ju, një proces përzgjedhjeje të bazuar në kushtet e kriteret konkrete të përcaktuara nga ligji dhe jo në perceptimet personale dhe as në parapëlqimet politik”, shkruhet në letër.

Ruçi e Vasili sugjerojnë që përzgjedhja e kandidatëve të orientohet nga vjetërsia në profesion, por edhe nga përvoja e spikatur gjyqësore dhe akademike, veçanërisht në fushën e së drejtës administrative, që, krahasuar me të tjerët, përmbushin në nivelin më të lartë cilësor, misionin kushtetues që ka Gjykata e Lartë për unifikimin e praktikës gjyqësore, në funksion të uniformitetit dhe qëndrueshmërisë në zbatimin e së drejtës. Ky është kushti minimal për të garantuar besueshmërinë e qytetarëve te drejtësia, sipas Ruçit e Vasilit

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit