
Nga Edison Ypi
Kam takuar dy nga ata që para se t’i vrasi mafia i ka vrarë merua. Ka ndodhur me Kol Olldashin dhe Tan Santon. Edhe sa të tjerë do takoj, nuk varet nga unë, varet nga merua.
Para pak vitesh, i habitur nga lumi i horrllëqeve që merua shkruante te TemA, e takova vetë Tan Santon. Është e verifikueshme. Sekretarja më mori shënim emrin.
Tan Santon nuk e gjeta, të çuditur, të shqetësuar, të alarmuar, të tmerruar. E gjeta në një gjendje të çuditëshme vështirësisht të definueshme që ndoshta me një farë aproksimativiteti mund të përcaktohet si “pështirosje e pafundme”. Tani kishte, nga koka tek këmbët, në të gjitha hollësitë e pamjes dhe detajet e gjesteve, një largim, një refuzim, një bezdi, një lëshim, një arratisje, një neveritje.
Që mero të mos vejë në Prokurori, tha, e konsideroj krejtësisht normale. S’ka si të vejë në Prokurori kur vet ai e di më mirë se kushdo se i ka të gjitha shpifje dhe delire. Halli im është tjetër. Puna ime, profesioni im, pasioni im, zotësia ime, talenti im, jeta ime, është menazhimi i financave, i parasë, pra diçka që “communemente” (përdori pikërisht këtë fjalë italisht) konsiderohet nga gjërat më prozaike, një prozë mes prozave të shumta e jetës. Unë e kam për natyrë që në punën time, në rutinën time, të bëj çmos ta pakësoj dozën e kësaj “proze”. Në poezi nuk e kthej dot. Ajo që mundohem të bëj është që parasë t’ja heq sa të mundem seriozitetin e tepruar, vrazhdësinë. Kam shkruar një libër. Bëj sa mundem të ndihmoj artin, artistët, kulturën. Së afërmi kam ndërment të hap një televizion informativ-ekonomik. Kanë të gjitha vendet europiane të tillë. Hëpërhë nuk do jetë ndonjë gjë e madhe. Shpresoj të bëhet i dobishëm në të ardhmen. Ai (për meron) operon në media, ku ka edhe prozaicitet, por normalisht duhet të dominojë stili, estetika, etika, vetpërmbajtja, pra elementet fine të sjelljes njerëzore. Por ai këtë raport e ka të përmbysur. Median e bën sa më të vrazhdë, sa më të pisët, sa më të shëmtuar. Provoj një ndjenjë të papërmbajtur refuzimi estetik ndaj atij njeriu që më ka gjetur mua për të vjellë bërllogjet e subkonshit të vet. Afërsia që më ka imponuar, më ndot, më përdhos, sa nuk e duroj dot.
Desha t’i them disa gjëra. Por u përmbajta. Nuk fola. E përshëndeta dhe ika. E lashë në mllefosjen vetmitare, me ndjesinë e hidhur dhe të sigurtë se merua Tan Santon, po ashtu si dhe Kol Olldashin prej vitesh, kishte nisur ta lodhte, ta vdiste, ta vriste me shpifje dhe trillime të pafundme.
Përveç disa përshendetjeve kalimthi, nuk e takova më Tanin.
Mero vazhdoi edhe për shumë kohë shpifjet te TemA dhe për një tjetër biznesmen të njohur që s’po dua t’ja përmend emrin, se s’jam si merua.
Prej ditës së vrasjes, asaj definitive me plumb, se vrasja e ngadaltë e Tanit, si e thashë, kishte kohë që kishte nisur, pra prej ditës së vrasjes së Tan Santos, merua nuk po ndihet. Ky rat që s’lë vrimë pa i futur hundët, nuk ka asnjë gjasë të rrijë indiferent kot. Arsyeja, s’ka cila të jetë tjetër veç frikës se familjarët, bashkëpunëtorët, dashamirët e Tan Santos mund t’i thonë; “As tani që e vrave nuk i ndahesh ?!”.
Pas vrasjes, mu ringjall interesimi për viktimat e meros, Tanin dhe tjetrin. Për të rifreskuar çfarë merua kishe shpifur në dëm të tyre, mes tjerash, bëra një “search” te TemA. Nuk gjeta asgjë. Merua ka fshirë gjithçka nga TemA online për të dy, dhe çdo gjë tjetër që kishte lidhje me ta.
Çfarë ka ndodhur mes meros dhe atyre të dyve ?
Për të zbuluar manovrat trashanike të meros nuk duhet asnjë llum kafeje dhe asnjë sferë e kristaltë. Janë fare të thjeshta. I kanë hedhur nga një kockë, ndoshta të majme, për t’i paguar sikterrosjen, për të larguar kutërbimin, për të ruajtur higjenën, për të përmirësuar mikroklimën rreth vetes.
Që s’është pak, s’ëshë e thjeshtë, dhe as e pastër. Por po të kesh parasysh ku e kanë katandisur median merua dhe ca zorraxhinj të tjerë, është më se normale.
Ndërkohë merua vazhdon të shakarravisi.
Por punët nuk i ka dhe aq mirë.
Pasi bëri sa mundi që të përndjekurit të digjeshin me benzinë dhe plot e plot çmenduri të tjera, është e qartë se Partisë Socialiste nuk i duhet më. Pas pak s’është çudi Edi Rama ta kapi me shkelma. Në këto kushte, mero bazja, si limon që nuk jeton dot pa u shtrydhur, ka vendosur që pikat e fundit të vetes t’i shtrydhi në një mënyrë tjetër. Duke kapërxyer përsëri ylberin. Po e rren menia se këtë mund ta bëjë përmes një lloj diversioni mes Doktorit dhe Bashës, pra diçkaje për tu gajasur. Po vepron me të vetmen mënyrë që di, në të vetmin stil që njeh, përmes një biçim të shkruari, shpikësi i së cilës është vetë merua; Duke bërë përditë një shkrim të ndryshëm, që në thelb është gjithmonë i njëjti shkrim që të lë të njëjtën ndjesi.
Përfytyro, i dashur lexues, një dorë që hedh mbi tavolinë, ta zemë, tre zara tavlle. Nga pikëpamja matematikore kombinacionet e rënies së zarave dhe numurave janë me mijëra me miliona. Por po të kesh parasysh se nuk po luhet tavëll, as nuk po bëhet statistikë matematikore, por po pretendohet të bëhet media, sado të panumurta të jenë kombinacionet e rënies së zarave, ajo që duket, ajo që tjetri sheh me sy, ajo pra që komunikohet, është fare e thjeshtë; Një dorë, tre zara, 6 numura.
Asgjë më tepër nuk bën merua. Sot; Doktori, Basha, familja, Gërdeci, 21 janari. Nesër Basha, familja, 21 janari, Doktori, Gërdeci. E kështu me rradhë i hedh merua zarat e gazetarisë duke dëshmua çdo ditë të njëjtën torollepsje, po atë urrejtje, po atë delir, po atë skizofreni.
Pas Kolit dhe Tanit, edhe gjithë të tjerët merua do t’i vrasi.
S’ka asnjë ndryshim mes shpifjes me pare dhe vrasjes me pagesë.
S’ka rëndësi se ata dy të maskuarit mbi suzuki ngjanin si dy mero me çorape.
S’ka rëndësi kush e luan këmbëzën. Rëndësi ka kush e shkakton dëshpërimin
Dëshpërimin e Tan Santos, Kol Olldashit, dhe të tjerëve që do vinë më pas, i shkaktoi neandertali mero, ai që të qeshurën me zë e ka si kollë djalli, sikur nxjerr dhe vjell me gulçe nga gurrmazi shkëmbinj të cilët në Grykën e Këlcyrës i solli Vjosa nga Malet e Pindit.
* Qëndrimet e shprehura janë të autorit, ato nuk prezantojnë domosdoshmërisht vijën editoriale të NOA.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





