


Tjetër deklaratë sensacionale e Zlatan Ibrahimoviç, që edhe pas eliminimit nga Portugalia në play-offin e Brazil 2014 ku skuadrës së tij nuk i mjaftoi dygolëshi i Zlatan, fryn sërish gjoksin duke tentuar të zhvleftësojë evenimentin më të madh futbollistik.
“Një botëror pa mua është pako gjë, me të vërtetë që nuk do t’ia vlejë për tu ndjekur, e madje nuk vlen që edhe njerëzit ta presin me ankth.”
Deklaratë vërtet bombastike, produkt i një egoje të ekzagjeruar nga ana e Suedezit që nuk do të jetë në Brazil, dhe më shumë mundësi do ta mbyllë karrierrën pa shënuar kurrë në një botëror.
Një statistikë vërtet e dhimbshme për një lojtar të kalibrit të tij. Me 4 golat e shënuar në përballjen e dyfishtë të playofit, Cristiano Ronaldo i sfumoi Ibrës, rastin e tij të fundit për të qenë protagonist në fazën finale të një botërori.
“Për mua ishte tentativa e fundit për të provuar që të shkoj në botëror me kombëtaren. Me siguri që tani e tutje, kur të luaj futboll nuk do të mendoj për kombëtaren”.
Ibrahimovic ka marrë pjesë në botëror vetëm në vitin 2002 dhe 2006, duke munguar në takimin me manifestimin madhor në 2010 si dhe në 2014.
Për të në Kupën e Botës regjistrohen vetëm 5 prezenca dhe 0 gola. Vështirë se do të jetë në Rusi në 2018-ën kur do të jetë plot 36 vjeç.
Një notë negative në një karrierrë të mbushur me suksese e gola. Gjithsesi Botërori, ashtu si Champions League, duket një kompeticion i shtriguar për Ibrakadabran.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





