Transmetuar më 01-07-2014, 17:59

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit tha sot pasdite se dy kushërinjtë nga Laçi, Klodian Gjozi dhe Sajmir (Gazmir) Gjozi, të arrestuar një ditë pas vdekjes së Santos, konsiderohen zyrtarisht autorë të dyshuar të krimit dhe cilësohen në Greqi si persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Policia thotë se ndalimi i tyre u bë pasi disponoheshin informacione si autorë të vrasjes, si dhe mbi aktivitetin e tyre kriminal të mëparshëm. Pasi është bërë ekspertimi përkatës kriminalistik, dy të dyshuarve të ndaluar, u janë gjetur faktorë plotësues të qitjes me armë zjarri dhe konkretisht mbetje të barutit.

Ndërkohë përmes Interpol Tirana është bashkëpunuar me autoritetet ligjzbatuese greke për verifikimin e të dhënave lidhur me personat e ndaluar, si dhe të motorit tip Suzuki bllokuar atyre, i ngjashëm me motorin e përdorur nga autorët ditën e vrasjes.

Nga informacioni i marrë nga pala greke rezulton se Klodian Ahmet Gjozi, ka vuajtur dënimin në burgjet greke për veprën penale të vrasjes nga 21.06.2004 deri më 13.04.2011. Gjithashtu ai është ndaluar përsëri nga policia Greke më 30.06.2011 për trafikimit të narkotikëve, së bashku me vëllanë e tij Arjan Gjozi. Ata u cilësuan trafikantë me shitje kokaine në zonat e Pagratit dhe Vironas në Athinë. Të dy janë liruar nga burgu më datë 25.05.2012.

Vëllezërit Klodian dhe Arjan Gjozi konsiderohen shumë të rrezikshëm nga ana e policisë Greke, për veprën penale të vjedhjes me armë.

Gjithashtu Arjan Gjozi para shumë vitesh, përdorte identitetin Dilaver Gjozi.

Motori i vrasjes

Lidhur me motorin 650 CC Suzuki, bllokuar Klodian Gjozit dhe Sajmir Gjozit, sipas Interpol Athina, rezulton të jetë denoncuar i vjedhur më datë 16.01.2014, në rajonin e Selanikut me pronar shtetasin grek D.G.

Tre pista për vrasjen e Santos, hetimet vazhdojnë

Megjithëse policia thotë se ka prangosur të dyshuarit e vrasjes së Santos, ajo pohon se hetimi nuk mund të ndalet. Edhe nëse konfirmohet se dy të ndaluarit janë ekzekutorët e Santos, mbetet të sqarohet kush e urdhëroi krimin e bujshëm.

Në përpjekje për zbardhjen e plotë të ngjarjes, për çdo informacion të vlefshëm Policia e Shtetit ka vënë në dispozicion shumën prej 100 mijë euro, duke garantuar ruajtjen e anonimatit.

Sakaq, janë tre pista në të cilat po përqendrohen hetimet, i thanë agjencisë IBNA, burime nga grupi hetimor.

E para lidhet me verifikimin e të gjitha transaksioneve bankare për llogari të personave jashtë Shqipërisë.

E dyta ka të bëjë me ngritjen e një biznesi në Kosovë.

E treta lidhet me një çështje të disa viteve më parë ku të përfshirë janë dhe biznesmenë të huaj.

Në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen deri tani janë marrë në pyetje rreth 80 persona, kryesisht nga Tirana dhe Fushë Kruja. Po ashtu, janë sekuestruar prova materiale, por edhe llogari bankare tek banka e themeluar nga Artan Santo.

Sot Gjykata e Tiranës vendosi masën e arrestit me 15 ditë burg për dy kushurinj nga Laçi të arrestuar pas ngjarjes në dyshimin se janë përfshirë në vrasjen e Artan Santos. Gjykata e quajti të paligjshëm arrestimin dhe vendosi 15 ditë kohë për të verifikuar pozicionin e të pandehurve ditën e ngjarjes. Kohë e cila përkon me zbardhjen e tabulateve telefonike të të ndjerit si dhe me nxjerrjen në akt ekspertimin e barutit të gjetur në trupin e viktimës.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit