
Brazili iu rikthye përgatitjeve pas kualifikimit të mundimshëm me Kilin, me Neymar që nuk u stërvit me pjesën tjetër të grupit për shkak të dëmtimit që pësoi ndaj formacionit të Sampaolit.
Gjendja fizike e yllit të Selecaos ishte tema kryesore e konferencës së radhës për shtyp, ku foli mesfushori i Manchester Cityt, Fernandinho.
“Neymar mori një goditje të fortë në gjurin djathtë, që ishte më e ashpër se dëmtimi që pësoi në kofshë.
Tani është nën kujdesin e mjekëve. Kaq mund t’iu them për Neymar, i cili nuk është stërvitur me grupin. Gjithsesi mjeku më tha se nuk do të jetë problem për ndeshjen me Kolumbinë.”
Më pas 29-vjeçari u fokusua te sfida me Kolumbinë në çerekfinale të Botërorit. “Do të jetë një përballje shumë e vështirë, si ajo me Kilin. Nga ky moment nuk mund të flitet më për ndeshje të lehta.
Ne e kemi të qartë që do të ndeshemi me një skuadër të fortë dhe të zgjuar, por duhet të tregohemi të aftë për ta mposhtur.”
Zbulimi i Brazil 2014, deri në këto momente është pa dyshim James Rodriguez, për të cilin rezervon fjalët më të mira edhe Fernandonho.
“Rodriguez po tregon se Monaco i ka shpenzuar me vend paratë për ta blerë. Me sa di unë, ai fillimisht nuk ka qenë në 11-shen titullare, por më pas i tregoi cilësitë e tij. Ka një kontroll të mirë të topit me këmbën e majtë, si dhe godet rrezikshëm.”
Përsa i përket zhgënjimit të tifozëve dhe mediave lokale për lojën që zhvillon Brazili, Fernandinho tha se Selecao është e fokusuar për të kaluar në gjysmëfinale, ndërsa njerëzit kanë mendimin e tyre, qoftë i drejtë apo i gabuar.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





