Transmetuar më 01-07-2014, 16:17

Tiranë, 1 korrik 2014, NOA.al- Prefekti i Qarkut Tiranë, Sadi Vorpsi, pasi mblodhi  Task-Forcën për kontrollin e tregjeve, iu shpreh se situata është tejet problematike në tregun e ish-Uzinës Dinamo dhe atë pranë ish-Shkollës Teknologjike, që janë edhe tregjet më të mëdhenj të Tiranës.

“Ne i kemi sugjeruar Autoritetit Kombëtar të Ushqimit që të marrë vendime për marrjen e masave të rrepta administrative ndaj këtyre subjekteve deri në pezullimin apo mbylljen e tyre në përputhje me përcaktimet ligjore”, tha Vorpsi, i cili kërkoi që nstitucionet në përbërje të Task-Forcës të zbatojnë me rigorozitet detyrimet e tyre ligjore.

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eno Bozdo mbështeti takimin e sotëm duke theksuar se kjo është hera e parë që të gjithë institucionet mblidhen në unison për të kërkuar standardet ushqimore në tregjet problematikë.

Drejtori Rajonal Autoritetit i Kombëtar të Ushqimit, Taulant Kalo, bëri me dije se gjatë inspektimit në Tregun e ish-Uzinës Dinamo, Tregun e Pazarit të Ri dhe në Tregun “Hamdi Pepa”, janë 43 subjekte të bllokuara, 4 të gjobitura dhe 7 të paralajmëruara.

Task-Forca e mbledhur sot mori vendimin unanim për të nisur punën në terren brenda kësaj jave.

Ky kontroll synon parandalimin e mungesës së theksuar të kushteve higjieno-sanitare, tregtimin e ushqimeve pa temperaturat e nevojshme frigoriferike, shitjen e ushqimeve pa etiketimin e nevojshëm të afateve të përdorimit të produkteve dhe mangësitë në dokumentacionin fiskal të produktit. E gjitha kjo me qëllimin final për përmirësimin dhe garantimin e cilësisë së jetesës së çdo qytetari të Tiranës, sipas standardeve evropiane. /a.s/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit