


Pas ndeshjes me Meksikën, Arjen Robben pranoi se në pjesën e parë kishte simuluar duke kërkuar një 11-metërsh në zonë, por pavarësisht sinqeritetit të tij, mediat reaguan duke e etiketuar atë si mashtrues e duke ndryshuar fjalët e tij, aq sa disa gazeta shkruan se Robben kishte pranuar se ishte hedhur në momentin e 11-metërshit deçiziv.
Vetë holandezi i irrituar nga këto zëra të pavërtetë u shfaq në konferencë për shtyp duke kritikuar gazetarët: “Është një turp që fjalët e mia janë deformuar dhe keqinterpretuar, pasi unë u tregova i sinqertë.
Por ndonjëherë ndershmëria të ndëshkon, megjithatë unë preferoj më mirë të jem i ndershëm sesa të gënjej, më vjen keq vetëm që fjalët e mia transformohen nga persona që kërkojnë të shesin gazetat.
Unë në momentin që u hodha në pjesën e parë, e bëra një veprim të tillë vetëm sepse u nxitova pasi mendova se mes meje dhe mbrojtësit do të kishte kontakt, por në fund ai e tërhoqi këmbën. Ishte një veprim idiot nga ana ime, megjithatë nuk pati ndikim në ndeshje”.
Robben më pas theksoi se dhe në të ardhmen do të vazhdojë të jetë i sinqertë, pasi kjo është pjesë e personalitetit të tij: “I tillë jam unë, nuk mund të ndryshoj dhe besoj se kjo është diçka e mirë, pavarësisht pafytyrësisë së ndonjë gazetari.
Kërkoj ndjesë për veprimin tim sepse gabova, por është më mirë të gabosh e të kërkosh ndjesë, sesa të përpiqesh të fshehësh fajin”.
Holanda do të përballet të dielën me Kosta Rikën në orën 22:00 në “Arena Fonte Nova” të Salvadorit dhe ka shumë mundësi që të sigurojë një vend në gjysmëfinalet e Botërorit për të dytin edicion radhazi.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





