Transmetuar më 01-07-2014, 14:12

Durrës, 1 korrik 2014, NOA.al- Kryeministri Edi Rama u ndal në një prej plazheve publike në Golem të Durrësit për hapjen e “Kampit të Vullnetarëve të Golemit”.

Kryeministri Rama tha se ky është një program i ri që synon ti japë fund një tradite të turpshme që e vë vendin në një pozitë të vështirë, edhe me vizitorët e huaj, të plazheve të pista, ku nuk ka kujdes për mjedisin.

Kryeministri u shpreh se është fatkeqësi të shikosh sesi në shumë raste, përshtypjet e vizitorëve të huaj dhe e gazetarëve të huaj nga plazhet shqiptare janë përshtypje që i turpërojnë të gjithë, “Të një vendi magjik ku njerëzit vetëm bëjnë pis; të plazheve të mrekullueshme ku ka plehra ngado që hedh sytë. Kjo duhet të ndryshojë!”.

Kryeministri u shpreh se problemet me sistemimin e ujërave të zeza dhe me infrastrukturëm ekzistojnë dhe do të fillojnë që këtë vit disa ndërhyrje të rëndësishme edhe në aksin e plazhit të Durrësit, në pikëpamje të infrastrukturës.

“Është bërë një punë kolosale gjatë gjithë 6-mujorit të parë të vitit, falë kontributit të Forcave të Armatosura për të pastruar mbetjet historike. Tani jemi në fazën kur do të pastrojmë mbetjet e përditshme. Duhet ti pastrojmë në bashkërisht dhe duhet të insistojmë që pak nga pak të gjithë pushuesit të marrin pjesë në këtë përpjekje, duke mos hedhur mbeturinat, por duke siguruar që të gjithë mbeturinat e konsumit të tyre në plazh te hidhen ne pikat e caktuara. Kjo do të ishte një fitore historike për një shoqëri që pret shumë më tepër se kaq nga turizmi dhe për një vend që kërkon të jetë një vend me nam të madh dhe të mirë si një vend turistik. Pengesa e parë që kemi janë plehrat dhe kultura jonë mizerabël e marrëdhënieve me mjedisin. Por lehtësisht mund ta ndryshojmë këtë, duke menduar siç mendojmë në shtëpinë tonë. Asnjëri nuk i hedh plehrat në mes të shtëpisë. Atëherë, pse duhet t’i hedhim në mes të plazhit?! Dhe secili të japë kontribut dhe secilin duhet ta ndihmojmë të kuptojë se nuk mundet më të vazhdojmë kështu. Kjo është puna kryesore që kanë këto grupe, përveç pastrimit që do bëjnë në çdo metër katror”, tha Rama.

Auron Tare, Drejtor i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit deklaroi se sot fillon kampi i Golemit dhe ai i Velipojës.

Vangjush Dako, kryetar i Bashkisë Durrës tha se, “Kjo frymë bashkëpunimi e këtij viti është një ogur i mirë për të filluar kthesën e turizmit në qytetin tonë. Puna juaj, jo vetëm sensibilizuese, por njëkohësisht edhe reale do të ndihmojë që ne të kemi realisht një plazh të pastër.

Këto kampe do të shtrihen në të gjithë vijën bregdetare të vendit, dhe do të jenë përveç vullnetarëve dhe Forcave të Armatosura, edhe infermierë dhe të tjera struktura që mbushin ditët me aktivitete sportive dhe kulturore.

Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit lajmëroi edhe një festival të Filmit të Detit dhe aktivitete të tjera, që do të shërbejnë si argëtim për pushuesit./a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit