
Tiranë, 1 korrik 2014, NOA.al- Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë nëpërmjet një qëndrimi zyrtar ka deklaruar se ka qenë dhe mbetet dakord, që busti i Imzot Theofan Nolit të vendoset në Durrës.
KOASH sqaron se ka qenë organizata “Foleja kombëtare shqiptare” që i ndërpreu bisedimet me Kishën “Apostull Pavli & Shën Asti” të Durrësit, për arsyet që ata i dinë dhe për asnjë moment për shkakun kishës orthodhokse.
“Sigurisht, këto çështje nuk zgjidhen as me panflete dhe as me ultimatume, por duke dialoguar me të gjitha palët. Mënyra se si u veprua ditën e djeshme, nuk e nderon veprën e tij të jashtëzakonshme për Kishën dhe vendin, por e ul dhe fyen atë. Ne dëshirojmë që busti i + Imzot Theofan Nolit të jetë në Durrës, sepse aty i takon të jetë. Për të realizuar këtë ne do të kërkojmë edhe bashkëpunimin e autoriteteve lokale vendore të qytetit”, thuhet nga ana e KOASH.
Busti i Fan Nolit u vendos në kishën Shën Mëria në Elbasan, dhe u realizua në kuadër të 100 vjetorit të meshës së parë shqipe në tokën shqiptare, meshë e cila është mbajtur në kishën e Shën Spiridonit në Durrës.
Organizata “Foleja kombëtare shqiptare” deklaroi se ky bust nuk u pranua në Durrës, ndaj u vendos në Elbasan.
Deklaratë nga Lidhja e intelektualëve Orthodhoksë të Shqipërisë
Megjithëse nga ngjarja historike e 1 qershorit ka kaluar afro një muaj në media vazhdojnë sulme të përsëritura kundër Kishës Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë dhe veçanërisht Kryepeshkopit të Tiranës dhe i Gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Anastasi. Ndaj jemi të detyruar të shprehim protestën tonë ndaj kësaj fushate tendencioze, të pavërtetë dhe që cenon harmoninë fetare në vend.
Dihen nga të gjithë arritjet e këtij komuniteti nën drejtimin e Kryebariut të tij. Këtë e tregoi edhe njëherë, një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e Kishës orthodhokse, por edhe të gjithë vendit, Shenjtërimi i Kishës Katedrale “Ngjallja e Krishtit”, ku morën pjesë 4 Patriarkë, 4 Kryepeshkopë dhe përfaqësuesit e 4 Patriarkëve Orthodhoksë, me në krye Tërëshenjtërinë e Tij, Patriarkun e Konstandinopojës, Bartholomeu I dhe vlerësimet që ata i bënë këtyre arritjeve. Kjo kishe katedrale është një dhuratë nga më të çmuarat, që Fortlumturia e Tij Anastasi i ka bërë Komunitetit Orthodhoks të Shqipërisë, së bashku me shumë vepra kishtare dhe humanitare që ka realizuar gjate 22 viteve te drejtimit të Kishës sonë.
Është hera e parë që kryetarët e Kishave Ortodokse vijnë së bashku, me ftesën e Fortlumturisë së Tij Anastasit, njëherazi qytetar nderi i qytetit te Tiranës, përpos titujve te shumte nderi në rang botëror dhe lokal. Në datën 1 qershor 2014, Kisha Ortodokse e Autoqefale e Shqipërisë, e ktheu Tiranën në kryeqytet te Ortodoksisë botërore. Në shenjtërimin e Kishës katedrale “Ngjallja e Krishtit”, morën pjesë gjithashtu Presidenti i Republikës, z. Bujar Nishani, Kryetari i Parlamentit, z. Ilir Meta, Kryeministri, z. Edi Rama, Kryetari Bashkisë së Tiranës, z. Lulzim Basha dhe personalitete te tjera shtetërore dhe politike, një gjest ky domethënës se Kisha jonë është drejtuese dhe e vetmja përfaqësuese e denjë e Komunitetit Orthodhoks te Shqipërisë. Komuniteti ynë fetar është një nga më të vjetrit dhe më të nderuarit dhe respektuarit në vend, që ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në formimin e shtetit shqiptar dhe në përparimin e tij drejt integrimit ne BE.
Në të njëjtën kohë, Lidhja e Intelektualëve Orthodhoksë nëpërmjet kësaj deklarate shpreh keqardhjen dhe dënon përpjekjet për të zbehur këtë ngjarje të rëndësishme të kishës sonë dhe të “… Kishës së Shenjtë, Orthodhokse, katholike dhe Apostolike…”. Dënon përpjekjet për të injoruar pjesëmarrjen e krerëve të Kishave Orthodhokse të për nder te këtij evenimenti, si edhe përpjekjet për të anashkaluar nderimin dhe respektin që ofroi pjesëmarrja e krerëve të shtetit dhe politikës shqiptare.
Këto qëndrime përçarëse të shprehura në media të ndryshme nga individë që kërkojnë të nxisin konflikte, për KOASH-in dhe Kreun e saj Fortlumturinë e Tij Anastasin, janë te pabaza dhe të pavërteta.
Me këtë Deklaratë- protestë, Lidhja e Intelektualëve Orthodhoksë shpreh edhe njëherë përkrahjen e fuqishme te saj për forcimin dhe zhvillimin e mëtejshëm te Komunitetit Orthodhoks të Shqipërisë dhe të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Shpreh përkrahjen dhe falënderon me nderim dhe respekt kontributin e madh te Fortlumturisë së Tij Anastasit në prosperitetin e këtij komuniteti, në forcimin e tolerancës e mirëkuptimit fetar në vendin tonë, si edhe në integrimin e vendit në BE, nëpërmjet afrimit dhe njohjes së Shqipërisë edhe nëpërmjet përkrahjes që i japin vendit tonë festa të tilla të rëndësishme me pjesëmarrjen e klerikëve më të rëndësishëm të Botës Orthodhokse./a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





