Transmetuar më 01-07-2014, 09:07

Varese, 1 korrik 2014, NOA.al- Një sasi e madhe lënde narkotike u sekuestrua nga policia italiane në zonën e Varese.

16 kilogramë kokainë, një pistoletë dhe 230 mijë euro para kesh u zbuluan gjatë operacionit të policisë që çoi në arrestimin e tre narkotrafikantëve shqiptarë.

Mësohet se në rast se do të shitej, droga do të sillte një fitim prej rreth tre milionë euro.

Operacioni i koduar “Albabianca”, zbuloi se shqiptarët përdornin si bazë për drogën një bar kafe në Fagnano Olona të Varese.

Hetimet lidhur me këtë rast vijonin prej afro në muaji, dhe u vu re se lokali qëndronte i mbyllur prej kohësh por se gjatë natës frekuentohej rregullisht nga dhjetëra persona.

Sapo u identifikua i zoti i lokalit, një shqiptar i ndaluar edhe në të kaluarën për trafik droge, u arrestua në kushtet e flagrancës brenda një garazhi, me një çantë me vete brenda së cilës u gjetën 200 mijë euro. Gjatë kontrollit policia gjeti edhe gjashtë kilogramë lëndë narkotike të llojit kokainë, e ndarë në disa pako.

Në vijim të këtij hetimi u zbuluan edhe dy shqiptarë të tjerë brenda një kompleksi luksoz në Legnano me 10 kilogramë të tjerë kokainë, e fshehur në fundin e dyfishtë të një makine.

Përveç drogës u sekuestruan edhe 30 mijë euro, para të ardhura nga trafiku i lëndës narkotike si dhe një pistoletë dhe rreth 50 fishekë./a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit