Transmetuar më 04-07-2014, 00:28

PUBLIKUAR: 09:47, 26 Qershor 2014 | PËRDITËSUAR: 00:28, 3 Korrik 2014  –

Krijohet identikiti i dy personave që vranë Artan Santon

Pas hetimeve intensive mbi vrasjen e biznesmenit Artan Santo policia ka krijuar një identikit të ekzekutoreve.Burime pranë uniformave blu bënë me dije, se laboratori kriminalistik, në bazë të të dhënave fizike, ka ngritur dyshime mbi disa persona, të cilët janë vënë nën përgjim.

Sipas hetuesve, edhe pse identifikimi, është mjaft i vështirë për shkak të skafandrave të zeza, vënia në përgjim e një numri të konsiderueshëm telefonatash, një muaj para vrasjes, por edhe ditën kur ndodhi ngjarja, mund të çojë në përputhjen e karakteristikave të personave te dyshuar.

Me të njëjtën metodë hetuesit kanë arritur në konkluzionin se vrasësit nuk kanë qenë të vetëm në kryerjen e krimit, pasi disa prej të shoqëruarve, kanë dijeni për atentatin ndaj bankierit Artan Santo.

Për shkak të hetimit ende nuk mund të bëhen publikë emrat, qe kane rezultuar të kenë dijeni për vrasjen.

Në vijim të hetimeve mbi ekzekutimin e bankierit, Forcat Speciale zhvilluan një aksion në komunën e Fushë Kuqes. Në të gjitha segmentet, që lidhin komunën me superstradën, janë ushtruar kontrollet e automjeteve në hyrje dhe në dalje, ndërsa policia ka shoqëruar disa persona për armëmbajtje pa leje.

Policia kontrolloi edhe banesat e zonës ranë magazinës ku u gjetën, lojëra fati të palicencuara dhe 3 skafandra.

Ekspertizë gjurmëve të gjetura tek dy të dyshuarit

Gjurmët e gjetura në duart e dy kushërinjve Gjozi, të dyshuar për vrasjen e bankierit Artan Santo, po i nënshtrohen një akt- ekspertimi të detajuar në laboratorin e kriminalistikës.

Kampionët e gjurmëve të marra pritet t’i nënshtrohen një analize AND-je e cila do të përcaktojë saktësisht se për çfarë gjurme bëhet fjalë; nëse ato janë shkaktuar nga një armë apo nga të tjera mjete e lëndë.

PËRDITËSUAR: 18:28, 1 Korrik 2014  –

Dosja e hetimeve të Santos, ndjekje bashkë me atë të Rezart Taçit dhe kompanive të tij

Prokuroria e Tiranës, bashkon dosjen hetimore ndaj Rezart Taçit dhe të afërmve të tij për akuzën e pastrimit të parave, me dosjen e vrasjes së bankierit, Artan Santo.

Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të Prokurorisë. Në grupin hetimor është përfshirë edhe prokurori Ndini Tavani. Ky i fundit po hetonte prej muajsh Taçin dhe të afërmit e tij, për disa vepra penale.

Sipas hetuesve, duke qene se një nga pistat kryesore të ekzekutimit të bankierit Santo, janë shitjet dhe transaksionet e kompanisë ARMO me pronar Rezart Taçin e të afërm të tij, dosja është bashkuar për të vazhduar hetime paralele. Burime nga Prokuroria që citon ABC News thanë se hetimi në lidhje me shit-blerjet e kompanive të ndryshme mes familjes së Rezart Taçit, transferta të mëdha parash, kalimi i pronësisë së kompanisë Armo tek shtetas Azerbajxhanas, si dhe transferta të dyshimta parash permes llogarive bankare, kanë qenë objekt hetimi, nga task-forca prej disa muajsh. Ky hetim, mësohet, se ka avancuar me sekuestrimin e të gjitha dosjeve të familjes së Rezart Taçit, që gjendeshin në bankën CREDINS. Po kështu janë marrë edhe materialet e shit-blerjeve të aksioneve te firmave të ndryshme. Eshtë provuar, se bankieri Santo ka qenë edhe garantues i bankës Azere, që i kaloi paratë Rezart Taçit, për blerjen e kompanise ARMO-s. Hetuesit thanë, se Taçi ka qenë edhe aksioner i kësaj banke për disa vite, por i ka shitur aksionet e tij në qershor të 2013-ës.

Pista tjetër hetimore, ku janë përqendruar ekspertet ,ka të bëje me investimet që i ndjeri Santo, po bënte bashke disa biznesmenë të tjerë në Kosovë, në ndërtimin e një qendre tregtare dhe rezidenciale në qendër të Prishtinës. Kjo ndërtese 44 katëshe, ka pezulluar punimet e nisura në vitin 2008. Nuk dihet konkretisht, roli i bankierit te ekzekutuar Artan Santo në këtë investim, pasi hetuesit presin të marrin materialet e dosjes nga Kosova.

Për llogari të dosjes së vrasjes së Artan Santos, policia dhe prokuroria kanë marre në pyetje rreth 40 persona, mes të cilëve edhe ortakët e viktimës Santo në bizneset e tij, persona të njohur publike, si afarist të njohur. Po kështu mes atyre qe janë marre ne pyetje janë edhe ata, që kanë ne pronësi të njëjtin lloj motori, si ai, që u përdor për vrasjen e bankierit mëngjesin e së enjtes se shkuar

Ish drejtori i RTVSH: Santon ma vranë para syve, më vunë pistoletën në kokë, një nga atentatorët mund të ishte femër

Eduard Mazi, ka parë të vritet para syve, Artan Santon, mikun e tij prej dy dekadash. Në një intervistë të publikuar sot në gazetën “Panorama”, ish drejtori i TVSH-së tregon vrasjen e ndodhur më 26 qershor në zonën e ish-Bllokut. Ndonëse kanë kaluar ditë (Të paktën 4 nga dita kur u mor intervista) Edi Mazi thotë se nuk është pyetur ende nga policia. Pjesë të shkëputura nga intervista e marrë: “Kishim lënë që të takoheshim tek zyra e tij te banka “Credins”, rreth orës 09:15 minuta ku të flisnim për çështje pune dhe konsulence.

Shkova dhe parkova makinën te hapësira që kishte Tani aty te banka. Duke ecur, sapo ngjita shkallët e bankës më erdhi një SMS e Tanit.

Ishte një mesazh i thjeshtë që më tregonte se kishte arritur para meje dhe po më priste. Kur sa lexova mesazhin, isha duke ngjitur shkallët pashë makinën e Tanit që vinte nga lart, d.m.th nga Kryesia e Kuvendit dhe hipi mbi trotuar. Tani hapi derën kështu që unë u nisa drejt tij që ta takoja që jashtë duke i dalë te një tabelë me reklamën e bankës që është aty.

Tani po zbriste nga vendi i pasagjerit pas në krahun e djathtë. Në fraksionet e sekondës humba vëmendjen, sepse nuk po e merrja vesh se çfarë ndodhi. Më tepër kujtova se ishin kapsolla, pasi krismat ishim shumë të thata.

Dëgjova 3 krisma. Të paktën kaq më është fiksuar mua, pasi thuhet se kanë qenë 4, por unë 3 mbaj mend. Pashë njerëzit rreth e rrotull që u ulën përtokë duke ulëritur. Kthej sërish sytë nga Tani dhe e pashë duke u përpjekur të vrapojë nga makina ku sapo kishte dalë, drejt bankës.

Sa bëri 3-4 hapa, ai ra përtokë, pranë këmbëve të mia. Mund të them gjysmë metri, plus- minus janë centimetra. Në fillim kishte shenja jete. Ra si anash. Sa për plagët nuk flas dot me përpikmëri, por e kishte në shpatull.

Pavarësisht hutimit se çfarë po ndodhte e pashë Tanin në tokë, bëra të përkulem drejt tij por një njeri i veshur me të zeza dhe skanfandër në kokë, kërceu nga motori që ishte thuajse ngjitur.

I qëlloi në kokë, 2 herë të tjera Tanit dhe pastaj ma drejtoi mua pistoletën. Aty vura re se ishte një pistoletë mulli.

Edhe rojës iu drejtua pistoleta. Pas të shtënave e kam parë që shkoi te kabina e tij e rojës por nuk mbaj mend si ka vepruar më pas….

Mënyra si ia numëroi plumbat në kokë mund të them se ishte vrasës gjakftohtë.

Ai që drejtonte motorin mund të them se ishte një person i shkurtër. Por nuk di të them se sa mund të ishte në gjatësi, pasi nuk zbriti fare nga motori. Ndërsa personi i dytë që ishte në motor dhe që zbriti duke qëlluar Tanin ishte trup hollë dhe i gjatë, diku te 1.75 cm. Kishte këmbët e holla e të gjata, ndërsa shtatin më të shkurtër. Nuk e përjashtoj si mundësi që të mund të ketë qenë femër, të paktën sipas formave trupore”.

Hetim transaksioneve të “Credins Transaksionet financiare përmes bankës Credins janë një prej pistave kryesore të hetimit mbi vrasjen e bankierit Artan Santo. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme thanë se po shqyrtohen të gjitha lëvizjet financiare të bëra kohët e fundit nëpërmjet bankës, ndërsa nuk përjashtohen edhe pista të tjera.Veprimet e policisë dhe prokurorisëNdërkaq policia ka përqendruar kontrollet në zonën e Fushë-Kuqes, ku pak ditë më parë u zbulua një laborator droge në pronësi të Gëzim Çelës i cili arriti t’i shpëtonte policisë.Në pranga ra vëllai i tij Kujtim Çela, i cili u pyet nga organi i akuzës pasditen e djeshme lidhur me disa transaksione të kryera në Bankën Credins. Prokuroria pyeti në burg dhe Astrit Bushin i njohur si i forti i Laçit. Dy të burgosurit kanë thënë para hetuesve se nuk kanë qenë në dijeni të vrasjes së Artan Santos për shkak të izolimit të tyre.Mësohet se të burgosurit nuk kanë deklaruar asgjë lidhur me transaksionet e kryera në bankën Credins ndërsa deri më tani Prokuroria ka një listë personash të cilët do të merren në pyetje lidhur me këtë pistë hetimi.Dosjes i janë shtuar edhe informacione nga Shërbimi Informativ Shteteror, të cilat i janë dorëzuar një ditë më parë kryeprokurorit Llalla nga vetë kreu i SHISH, Visho Ajazi. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se bëhet fjalë për informacione të vlefshme si mbi aktivitetin e bankierit 58 –vjeçar ashtu edhe në drejtim të hetimeve për gjetjen e autorëve.Hetimet mësohet se janë shtrirë edhe jashtë Shqipërisë, ndërsa ka të dhëna se atentatorët nuk kanë dalë nga Shqipëria.Pak ditë më parë policia shpalli në kërkim dhe një 32 vjeçar në magazinën e të cilit u zbuluan 3 skafandra dy prej të cilave kanë mjaft ngjashmëri me ato të përdorura nga atentatorët.Gjatë operacionit të Policisë për zbulimin e gjurmëve të vrasësve së biznesmenit Artan Santo, në zonën e Fushë-Kuqes në Laç dy skafandrat e sekuestruara ishin përdorur kohët e fundit ndërsa njëra prej tyre mban mbishkrim të njëjtë me skafandrën e përdorur nga drejtuesi i motorit të vrasësve.

Lidhur me identifikimin e motorit burime pranë policisë thanë, se Suzuki vstrom nuk figuron në regjistrat e policisë rrugore, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që mund të ketë hyrë ilegalisht në Shqipëri.

Nga të gjithë motorët e regjistruar në vend por edhe ato të sekuestruar nga policia asnjëri prej tyre nuk përputhet me karakteristikat e motorit të atentatorëve. Mjeti i përdorur nga vrasësit e biznesmenit Artan Santo ishte pa targa ndërsa dyshohet se e ndiqte 58-vjeçarin prej disa kohësh.

PËRDITËSUAR: 15:06, 28  Qershor 2014

Drejtori i Policisë së qarkut Tiranë, Ardian Çipa bëri një përmbledhje të ngjarjes dhe kronologjisë së arratisjes së autorëve të vrasjes së bankierit Artan Santo. Në fjalën e tij kryepolici i Tiranës deklaroi se viktima nuk ka pasur informacione për rrezikun që i kanosej dhe se vrasja ka qenë e organizuar dhe mirëmenduar. Ai bëri me dije se autorët e ekzekutimit ishin në një motorr pa targa dhe se nga ana e policisë vijojnë kontrollet dhe postblloqet në Krujë, Laç, Lezhë dhe zonat përreth. Gjithashtu Çipa tha se policia në bashkëpunim me Prokurorinë po hetojnë intensivisht, me synim zbardhjen e ngjarjes. Në këtë drejtim kreu i policisë Tiranë u shpreh se policia ka vënë në dispozicion shumën prej 100 mijë euro për këdo që jep informacion për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Fjala e plotë e Drejtorit të Policisë Tiranë, Ardian Çipa "Siç është bërë tashmë publike, në datë 26 Qershor 2014, rreth orës 09.18, në rrugën “Ibrahim Rugova” Tiranë, ka ndodhur një ngjarje e rëndë kriminale, ku është vrarë me armë zjarri shtetasi Artan Santo, 58 vjeç, me detyrë Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Bankës së Credins. Pas marrjes se njoftimit nga strukturat e policisë u organizuan dhe nisi koordinimi i shërbimeve të Policisë, në ndjekje të autorëve. Sipas informacionit paraprak, autorët udhëtonin me një motorr të zi, pa targa, me kokore dhe të armatosur, të veshur me të zeza, trupa mesatare. Pas ngjarjes ata përshkuan rrugën “Ibrahim Rugova” drejt Gardës së Republikës, ndërsa në ndjekje të tyre u vu mënjeherë një efektiv i policisë rrugore, me motor, i cili në momentin e krimit, ishte afër vendit të ngjarjes. Disa shërbime u ngritën në drejtimin nga po udhëtonin autorët e vrasjes si dhe u ngritën pika të përforcuara kontrolli në të gjitha daljet e Tiranës. Autorët u ndoqën deri në afërsi të Liqenit të thatë, duke përshkuar rrugë-kalimet përmes pallateve në Lagjen Komuna e Parisit Tiranë. Aty mjeti në ndjekje i humbi kontrollit të efektivit të policisë, për shkak të devijimit të rrugës dhe shpejtësisë së lartë të mjetit. Autorët e dyshuar kanë dalë nga Tirana përmes zonës së Yzberishtit, duke përdorur rrugë dytësore, nëpërmjet nënkalimin të Kasharit e më pas nëpërmjet rrugës nacionale të aeroportit të Rinasit, duke u drejtuar drejt zonës së Fushë – Krujës. Policia e Fushë – Krujës mori masa për ngritjen e pikës së kontrollit në hyrje të qytetit dhe rrugën nacionale. Në këtë zonë mjeti motorr me 2 autorët e dyshuar, është konstatuar nga një tjetër patrullë e qarkullimit, e cila është vënë në ndjekje të tyre, deri në Urën e Gjoles, vend ku kanë devijuar sërish dhe kanë hyrë në fshatrat e zonës, pa hyrë në Fushë Krujë. Eshtë ngritur menjëherë grupi hetimor në përbërje të të cilit ishin ekspertë kriminalist për krimet e rënda, të cilët kryen veprimet e para hetimore duke fiksuar dhe administruar provat në vendin e ngjarjes. Nga ana tjetër, duke analizuar informacionet e marra në terren me mbështetjen dhe të shërbimeve të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe Forcës së Posacme të DPQ janë kryer kontrolle të imtësishme ne zonën e Krujës, Laçit, Lezhës, kontrolle që vijojnë edhe në këto momente. Gjithashtu duke bashkëpunuar ngushtësisht me strukturat e Policisë së qarqeve Durrës dhe Lezhë, janë kontrolluar të gjitha objektet të cilat kishin kamera të vendosura nga Ura e Gjolës deri tek nënkalimi i Mamurrasit ku janë marrë si prova materiale pamjet filmike para dhe pas ndodhjes së ngjarjes, që dokumentonin itinerarian e lëvizjes së motorit të dyshuar. Grupi hetimor i kryesuar nga Prokuroria e Rrethit Tiranë po heton me intensitet për të dokumentuar shkaqet e vrajses, si dhe identifikimin e autorëve të saj. Policia e Shtetit ka vënë 100 mijë euro shpërblim, për çdo informacion të vlefshëm që do të cojë në identifikimin e autorëve, duke siguruar anonimat të plotë. Gjithashtu, i bëjmë edhe një herë thirrje të gjithë qytetarëve të ndihmojnë hetimet për zbardhjen e kësaj ngjarje, duke dhënë çdo informacion të nevojshëm".

Prokurori i Përgjithshëm mbledh grupin e hetimit, takohet me Visho Ajazin/ 13: 06

Prokurori i Përgjithshëm i Shtetit, Adriatik Llalla ka mbledhur në një takim grupin hetimor, i cili po punon për identifikimin dhe më pas kapjen e autorëve të vrasjes së bankierit Artan Santo, i cili u vra ditën e enjte në mëngjes, në zonën e ish Bllokut, pranë filialit të bankës Credins.

Në mbledhje me Prokurorin e Përgjithshëm kanë qenë edhe prokurorët Albert Nela, Petrit Fusha, Adriatik Cami, Dritan Nushi. Takimi u zhvillua në ambientet e Prokurorisë së Tiranës.

Ka përfunduar pas 60 minutash kjo mbledhje, ku Prokurori Llalla ka diskutuar dhe ka marrë pistat paraprake të hetimit nga prokurorët që janë duke drejtuar hetimet dhe bashkëpunimin me policinë dhe sektorin e krimeve të rënda.

Pas përfundimit të takimit, Prokurori Llalla nuk ka dhënë asnjë deklaratë për mediat.  Hetimi po zhvillohet në disa pista për zbardhjen e mbledhjen e provave dhe fakteve në lidhje me këtë ngjarje.

Personat që janë marrë në pyetje dhe janë shoqëruar në polici gjatë këtyre orëve, deri në ditën e tretë pas ngjarjes së rëndë, janë të shumtë. Policia e Tiranës është duke bashkëpunuar me policinë e Qarkut të Durrësit e Lezhës. Pritet të kemi zhvillime të mëtejshme.

Vetëm dy orë pas takimit me prokurorët e çështjes, kryeprokurori Llalla ka takuar në ambientet e Prokurorisë së Përgjithshme edhe kreun e SHISH-it, Visho Ajazi. Ky takim zgjati 20 minuta ndërsa gjithçka e biseduar mes krerëve të dy institucioneve mbetet enigmë dhe pritet të hedhë dritë mbi vrasjen bankierit, Artan Santo.

Santo tentoi të flasë me telefon me ministrin e Brendshëm pak para vrasjesRreth dhjetë minuta përpara se të vritej, Artan Santo ka tentuar të lidhej në telefon me ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Ministri nuk i ka hapur telefonin dhe njerëz të medias që kanë qenë në ato momente me Tahirin konfirmojnë se vetëm pak pas asaj telefonate ka mbërritur edhe lajmi për vrasjen e Artan Santos, shkruan gazeta “RD” në numrin e së shtunës. Besohet se telefonata direkt tek ministri ishte një kërkesë për ndihmë ose verifikim mbi ndjekjen që të ndjerit i ishte bërë nga dy personat me motor.

Gazetari i News24, Artan Hoxha, në Tv Klan tek “Zonë e Lirë”, tha se vrasjen e mësoi gjatë takimit me ministrin e Brendshëm. Ai tha se kishte shtyrë një takim në 09.00 me Santon për shkak të takimit me Tahirin dhe vrasjen e mësoi nga telefonata që i mbërriti Tahirit.

Motori, pranë banesës, 50 minuta para ngjarjes

Dje u shfaq në Tv “News 24” një tjetër sekuencë filmike, e cila lidhet me vrasjen e biznesmenit Artan Santo. Në pamjet e regjistruara në orën 08:20 minuta të mëngjesit të së enjtes, evidentohen dy atentatorët që lëvizin të pashqetësuar nga rruga “Papa Gjon Pali i dytë” drejt rrugës “Asim Zeneli”, pra, një rrugicë ngjitur me shtëpinë e Artan Santos. Pra rreth 51 minuta para ngjarjes, dy personat kanë mbajtur nën vëzhgim zonën përreth banesës së 58-vjeçarit.

Kamera e sigurisë ka arritur t`i fiksojë para atentatit dhe pesë herë të tjera autorët që lëviznin me motorin tip Suzuki V-Storm 650 kubikësh. Përkatësisht në orën 08:20 minuta, 08:25 minuta, 08:27 minuta, 09:07 minuta dhe 09:09 minuta. Më pas, në orën 09:11 minuta atentatorët kanë dalë tek kryqëzimi tek RTSH dhe kanë pritur për disa sekonda derisa mjeti me të cilin udhëtonte Santo të nisej për në destinacion.

Atentatorët e kanë ndjekur duke i qëndruar në distancë të afërt prej tre metrash dhe në kryqëzimin pranë Kryeministrisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Ndërsa rreth orës 09:15 minuta kur Artan Santo ka zbritur nga mjeti është qëlluar 6 herë me pistoletë,  duke mbetur i vdekur në vend.

Detaje nga itinerari i atentatorëve

Policia ka mundur të zbardhë itinerarin e autorëve pas krimit deri në Fushë-Kuqe ku janë parë për herë të fundit.

Motori me vrasësit kanë përshkruar zonat që janë në juridiksion të katër komisariateve, 1, 2, 5 dhe 6 por asnjëra prej tyre nuk ngriti një postbllok për të ndaluar motorin.

I vetmi postbllok u ngrit në Sauk në afërsi të TEG, pas informacioneve pas vrasjes se motori u largua në drejtim të Liqenit Artificial duke hedhur dyshime se mund të largoheshin drejt Elbasanit.

Por hetimet treguan se motori ka devijuar qëllimit në Komunën e Parisit për të kaluar pas pallatit me shigjeta dhe më pas në autostradë.

Ky itinerar ka zgjatur për 25 minuta e megjithatë asnjë postbllok policie nuk është ngritur në autostradë.

Masa brenda policisë

Largimi i autorëve të vrasjes së biznesmenit, Artan Santo, pa u përballur me asnjë postbllok të mirëorganizuar nga policia, ka pasuar sot me paralajmërime.

Kreu i Policisë së Shtetit, Artan Didi dhe zv.drejtori, Sokol Bizhga, zhvilluan sot një analizë në Policinë e Tiranës lidhur me largimin e autorëve dhe vonesën e angazhimit të forcave blu.

Në debatin mbi ngjarjen, u vërejt se nëse policia do të ishte koordinuar menjëherë sot autorët e atentatit do të ishin në pranga. Didi dhe Bizhga kanë kritikuar vartësit për vonesën e ngritjes së shërbimeve.

Burime nga policia thanë për noa.al, se një vonesë e tillë është justifikuar me faktin se nuk është dhënë i saktë informacioni mbi mjetin që u përdor në vrasje dhe se drejtimi i largimit të tyre ngatërroi shërbimet e policisë.

Zhvillimet e hetimit, detaje nga prokuroria

Prokurorë të çështjes pohojnë se deri në mesditë kanë bërë të mundur grumbullimin e një sërë provash materiale, ku më kryesorja është sekuestrimi i të gjithë dokumentacionit bankar dhe gjithë transaksionet e muajve të fundit që banka Credins ka bërë brenda dhe jashtë vendit.

Gjatë gjithë natës së kaluar, deri në orët e para të mëngjesit, oficerët e policisë gjyqësore kanë marrë në pyetje rreth 50 persona mes të cilëve, administratorë të bankës dhe bizneseve ku viktima ka qenë aksioner.

Janë pyetur të gjithë ortakët si dhe disa prej punonjësve të bankës. Hetimet sipas Prokurorisë janë shtrirë jo vetëm në Tiranë, por dhe jashtë saj. Ajo që e bën hetimin edhe më kompleks është fakti se nga të dhënat e deritanishme rezulton se Artan Santo nuk operonte vetëm në fushën bankare dhe atë të medias, por ushtronte veprimtarinë e tij edhe në fusha të tjera.

Nga veprimet e deritanishme nuk rezulton asnjë gjurmë e autorëve të krimit ndonëse kërkimet janë përqëndruar në zonën e Fushë – Krujës, ku dyshohet se janë fshehur ekzekutorët.

Një tjetër pjesë e rëndësishme e hetimit është edhe dinamika e vrasjes.

Me sekuestrimin e pamjeve filmike Prokurorët kanë arritur të kuptojnë çka ndodhur.  Sapo Artan Santo ka dalë nga makina, personi që ndodhej në pjesën e pasme të motorrit i ka qëlluar në trup, çka ka bërë që viktima të rrëzohej në tokë.

Më pas ekzekutori me gjakftohtësi ka zbritur nga motorri e ka qëlluar një herë në kokë, duke i dhënë goditjen fatale nga afër.

Pamjet e marra nga kamerat me të afërta me vendin e ngjarjes, tregojnë se vrasësit i kanë drejtuar armën edhe rojes së godinës, i cili nuk ka mundur të kryejë asnjë veprim. Ndërkohë gjatë natës së mbrëmshme dhe paradites së sotme drejtues të Policisë se Shtetit, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Prokurorisë së Tiranës kanë kryer disa takime me qëllim koordinimin e veprimeve hetimore.

Deri tani janë shoqëruar mbi 10 persona në polici, por nuk ka asnjë të arrestuar për një prej vrasjeve më të bujshme të ndodhura në Shqipëri.

Homazhe, i jepet lamtumira biznesmenit Artan SantoLamtumira e fundit për Santon

Biznesmeni i njohur Artan Santo u përshëndet këtë pasdite për herë të fundit me Tiranën e tij, bankën Credins të cilës i kushtoi jetën, punonjësit e selisë qendrore të institucionit bankar, të cilët mbuluan me lule vendin ku ai u qëllua për vdekje në një atentat të mirëorganizuar një ditë më parë.

Makina me trupin e pajetë të Artan Santos, e mbuluar me lule të bardha, u ndal në derën e selisë qendrore të bankës së tij, ku e pritën me lule në duar , lot në sy dhe dhimbje të madhe punonjësit e bankës Credins, të cilët i dhanë lamtumirën e fundit drejtuesit të tyre.

Pas rreth 6 orësh homazhe në hotelin “Sheraton”, ku përpara trupit të pajetë të biznesmenit të njohur u përkulën me nderim e respekt miqtë e tij, kolegët bashkëpunëtorët, figura të njohura të artit, biznesit dhe politikës, medias kushdo që e njohu dhe vlerësoi z. Santo, për t’i dhënë lamtumirën e fundit.

Policia e Tiranës shoqëron 15 persona në komisariat

Policia e Tiranës ka shoqëruar në komisariat 15 persona gjatë mbrëmjes së të enjtes, duke u gdhirë e premtja, në cilësinë e dëshmitarëve, në lidhje me vrasjen e biznesmenit Artan Santo.

Kreu i Policisë së Shtetit, Artan Didi ka mbledhur drejtuesit e Policisë së Tiranës në një mbledhje urgjente dhe është duke diskutuar me ta për kapjen e autorëve të kësaj vrasje. Mbledhja po zhvillohet në ambientet e drejtorisë së Policisë Tiranë, ndërsa policia e kryeqytetit informon se grupi hetimor po punon në disa pista.

Rrëfimi i policit që ndoqi vrasësit dhe detajet e fundit nga hetimi mbi ngjarjen

Në Fushë-Kuqe pranë Laçit është vendi i fundit ku është parë motorri me të cilin udhëtonin dy personat që ekzekutuan paraditen e sotme Artan Santon. Pas daljes nga Tirana, motori ka kaluar në rrugën e Rinasit ku është konstatuar nga një efektiv policie i cili ka qenë në postbllok rutinë. Ai ka marrë menjëherë motorin e policisë dhe është vënë në ndjekje të autorëve nga Rinasi deri në afërsi të Fushë-Krujës. “Autorët udhëtonin me një shpejtësi mbi 200 kilometra në orë. Nuk mund të udhëtoja paralel me ta, dhe më humbën nga sytë në Fushë-Krujë” mësohet të ketë thënë për kolegët, efektivi i policisë. Ky i fundit e ka pasur të vështirë të njoftojë policinë të vendosë postblloqe në itinerarin që po përshkruanin autorët për shkak se ka qenë duke udhëtuar me motor dhe nuk mund përdorte telefonin. Nëse do të ndalonte autorët do t’i humbiste nga “sytë” gjë e cila ndodhi gjithsesi. Ekzekutimi tipik mafioz i Santos ka vënë në lëvizje policinë e disa qyteteve,Tiranë, Elbasan, Durrës, Lezhë, Laç, Krujë, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, Repartin RENEA etj.

Për lokalizimin e vendndodhjes së tyre, është përdorur një helikopter si dhe qen me erë por pa rezultat. Policia tha se bëhej fjalë për vrasës me pagesë. Një ekzekutim ky i cili ka kushtuar me mijëra euro. Pas marrjes së porosisë, vrasësit profesionistë kanë menduar për çdo detaj me qëllim shmangien e prangave. “Autorët dyshohet se janë vrasës profesionist me pagesë, dhe janë rreth moshës 25-30 vjeç” thanë për NOA.al burimet policore.

Ndërkohë që pamjet filmike tregojnë se autorët kanë ndjekur me motor makinën që drejtohej prej Santon që prej Liceut deri në zonën e ish-bllokut ku dhe ndodhi vrasja.

Ata kanë udhëtuar paralel me automjetin e Santos por nuk kanë tentuar ta qëllojnë atë. Autorët zbrazën gjashtë plumba pistolete vetëm në momentin që Santo doli nga automjeti. Një plumb në kokë dhe dy në zemër i shkaktuan vdekjen e menjëhershme biznesmenit.

Policia ka ngritur një sërë pistash për vrasjen ndërsa ende nuk ka veçuar ndonjërën prej tyre. “Ende nuk është ndaluar ndonjë person në lidhje me këtë ngjarje. Policia nuk ka identifikuar pronarin e motorit të vrasjes. Janë shoqëruar dy persona në Fushë-Krujë për t’u marrë në pyetje në lidhje me motorët që mbajnë ata në servisin e tyre por deri më tani nuk rezultojnë të implikuar” thanë burimet policore.

Zbardhen identitetet e dy të arrestuarve nga policia, flet nëna e tyre

Dy persona të cilët janë ndaluar nga policia në lidhje me vrasjen e biznesmenit Artan Santo janë Klodjan Gjozi dhe Sajmir Gjozi.

Nëna e tyre, Xhevrie Gjozi ka reaguar në media duke bërë të ditur se i biri, Klodjan Gjozi nuk ka lidhje me ngjarjen dhe se motori nuk është iu tyre.

Ajo është shprehur se kërkon zbardhjen e vrasjes së biznesmenit Santo, duke shtuar se motori i tyre ka tre muaj që është në një servis, ku edhe ndodhet aktualisht.

Xhevrie Gjozi ka deklaruar se ata kanë ardhur 2 vite më parë nga Greqia dhe se djemtë e saj janë akuzuar edhe një herë për një vjedhje të bërë në Vorë, por që pasi janë bërë verifikimit e nevojshme, ka rezultuar se ata nuk kanë qenë të implikuar në asnj 137 ngjarje kriminale.

Vritet Artan Santo

Tiranë, 26 qershor 2014, NOA.al-  Biznesmeni i njohur Artan Santo është vrarë mëngjesin e sotëm në një atentat të organizuar, kryer nga dy persona të maskuar.

Ngjarja ka ndodhur në zonën e ish Bllokut në Tiranë, pranë bankës Credins, pronë e të ndjerit Artan Santo.

Dy persona të maskuar e kanë ndjekur Santon që nga shtëpia e tij pranë ambasadës italiane dhe e kanë shoqëruar deri sa ka arritur tek zyra e tij tek selia qendrore e bankës Credins.

Personat me skafandra arritën t’i afrohen biznesmenit 58-vjeçar Artan Santo, pak metra nga selia qendrore (foto më poshtë), duke hapur zjarr ndaj tij.

Santo ka humbur jetën pak momente më vonë teksa po e dërgonin për në spital.

Homazhet e të ndierit Artan Santo do të mbahen ditën e nesërme, rreth orës 10:00 në ambientet e hotel “Sheraton” në Tiranë, ndërsa ceremonia mortore do të  zhvillohen rreth orës 16:00.

“Falenderojmë shqiptarët e të njohurit për solidarizimin dhe ngushëllimet në këtë moment. Ceremonia funebre do të zhvillohet në varrezat e Sharrës”, ka bërë të ditur familja e të ndierit Santo.

Qirinj dhe lule në vendin ku u vra Santo

Qytetarë të shumtë të cilët kalojnë në zonën e ish Bllokut, në vendin ku u vra biznesmeni Artan Santo, ndalojnë dhe ndezin një qiri ose vendosin një lule në vendin ku ai humbi jetën. Ata kryejnë homazhe përpara fotografisë së biznesmenit të ndjerë, përkrah së cilës shkruhet “Mafia po na vret”.

Policia e cila ndodhet në vendin e ngjarjes thotë se atentatorët e kanë qëlluar Santon me gjashtë plumba pistolete.

Menjëherë pas krimit ata janë larguar drejt zonës së Liqenit me një motor ‘Scooter’, me dy numrat e fundit të targës 09. Policia tha se motoçikleta ka lëvizur më pas në drejtim të qendrës duke marrë shumë kthesa dhe duke humbur gjurmët e policisë.

Oficerët e policisë shkencore u përpoqën të gjenin në vendin e ngjarjes prova materiale, por sekuestruan vetëm gëzhoja të armës së krimit, si edhe sendet personale të viktimës.

Vrasja sipas ekspertëve mendohet të jetë kryer nga vrasës profesionistë, të cilët jo vetëm që nuk kanë lënë gjurmë, por edhe kanë menduar edhe lëvizjen për t’ju fshehur mbulimit policor.

Policia sekuestroi kamerat e bankës,si edhe të gjitha subjekteve tregtare në rrugën që përshkuan vrasësit. Kamerat mbeten një ndër mundësitë e pakta të policisë për të bërë ndonjë identikit të mundshëm të tre autorëve të krimit.

Nga dëshmitë e marra paraprakisht, për shkak të maskimit të mirë të autorëve të krimit, policia nuk mund të përcaktojë dot as moshën e tyre.

Pritet të zbardhen pamjet filmike që kamerat e sigurisë së bankës “Credins” dhe bizneseve aty pranë kanë regjistruar në momentet e krimit, ndërsa nga ana e policisë janë publikuar fotografitë e autorëve të vrasjes duke u larguar me motorr, të cilat i gjeni bashkëngjitur. Në fotografi shikohet teksa autorët e krimit largohen nga kryqëzimi te zona e Librit Universitar.

Nga ana e policisë rrugore mësohet se është bërë ndjekja e autorëve të krimit deri në kufi me Fushë Krujën, ku pranë Urës së Gjolës të dyshuarit kanë mundur të humbin gjurmët.

Për kapjen e tyre po bëhet kontrolli nga ajri  edhe me helikopter, ndërsa dyshohet se personat që ekzekutuan 58 vjeçarin janë vrasës me pagesë. Me synim kapjen e autorëve janë ngritur postblloqe policie në zonën e Thumanës, Mamurrasit, etj.

Biznesmeni Artan Santo ishte pronar themelues i Credins Bank.

Në vitin 2011 bankieri Artan Santo dhe biznismeni Irfan Hysenbelliu blenë bashkërisht nga dy pronarët italianë të saj, kompaninë mediatike të përbërë nga Televizioni News 24, “Gazeta Shqiptare”, Radio Rash, Ballkanweb. Santo dhe Hysenbelliu krijuan kompaninë mediatike “Fokus”, ku u bënë bashkëpronarë me nga 50% të aksioneve.

Policia rrit shumën, 100 mijë euro shpërblim për çdo informacion për kapjen e autorëve

Lidhur me  ngjarjen e ndodhur në rreth orës 09.30 në zonën e ish – Bllokut, ku si pasojë e të shtënave ka gjetur vdekjen e menjëhershme shtetasi Artan Santo, policia e kryeqytetit vendosi në dispozicion një shpërblim prej 10 mijë euro, por vetëm pak momente më vonë policia deklaroi se ky shpërblim rritet dhe shkon në 100 mijë euro.

Për çdo informacion të vlefshëm që do të çojnë në kapjen e autorëve Policia e Tiranës vendos këtë shpërblim, në çdo rast duke ruajtur anonimatin dhe duke ftuar këdo që ka informacion që të telefonojë në numrin 069 41 00003.

Policia kërkon bashkëpunimin qytetar për të telefonuar për informacione të vlefshme edhe në numrin pa pagesë 129.

Aktualisht grupi hetimor po punon  me intensitet në drejtim të zbardhjes tërësisht të kësaj ngjarje dhe identifikimin e autorëve./a.y/noa.al/

Edi Rama: Vrasje mizore e Santos

Kryeministri Edi Rama, me një reagim të shkurtër për vrasjen e biznesmenit Artan Santo e cilëson ngjarjen si një krim mizor.

“Na vranë mizorisht një mik te mire, çun Tirone nga ata te vërtetët, që e donte jetën dhe donte njerëzit”.

Rama bën thirrje në mesazhin e tin publik, që të ndihmohet policia: “Njëqind mijë euro kush ndihmon policinë”, për të gjetur vrasësit e Santos.

Vrasja e Santos, deklaratë zyrtare nga Credins Bank

“Të tronditur thellë nga ngjarja e rëndë, ku humbi jetën drejtori ekzekutiv i Bankës Credins, zoti Artan Santo, gjejmë forcën tí shprehim ngushëllimin tonë të sinqertë familjes dhe bashkëpunëtorëve tanë.

Këshilli Drejtues i Bankës Credins është mbledhur sot dhe në zbatim të Statutit dhe kuadrit rregullativ në fuqi, mori vendimet e duhura për të siguruar vazhdimësinë e veprimtarisë normale të institucionit tonë.

Informojmë publikun e gjerë dhe depozituesit se veprimtaria e Bankës Credins vazhdon normalisht aktivitetin në të gjitha degët e saj”, – përfundon deklarata zyrtare nga Këshilli Drejtues dhe aksionerët e Credins Bank.

Banka e Shqipërisë, reagim për vrasjen e Artan Santos: Po marrim masa për bankën Credins

“Me hidhërim të thellë morëm lajmin e ndarjes nga jeta të z. Artan Santo, Drejtor i Përgjithshëm i Bankës Credins. Duke dënuar këtë akt të shëmtuar kriminal, në këto momente të dhimbshme i shprehim ngushëllimet më të sinqerta dhe i jemi pranë familjes, të afërmve dhe miqve të z. Santo.

Në përmbushje të mandatit të saj ligjor, Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha institucionet e tjera që garantojnë sigurinë financiare në vend, deklaron se kjo ngjarje e paprecedent, nuk cenon në asnjë mënyrë qëndrueshmërinë e sistemit bankar në tërësi dhe atë të Bankës Credins në veçanti. Banka e Shqipërisë i ka kërkuar Këshillit Drejtues të Bankës Credins dhe siguron se janë ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura ligjore dhe operacionale për të garantuar vazhdimësinë normale të veprimtarisë së saj”.

Santo, biznesmeni mik i artit

Ana njerëzore, bankieri ishte mik i të gjithëve

Artan Santo është prezantuar shumë vite më parë para publikut shqiptar me filmin Guximtarët. Njeriu që kishte një dashuri të madhe jo vetëm për jetën e biznesin ku ai u rendit si një nga bankierët më të suksesshëm, por për artin ku ai dha një kontribut të madh. Artan Santo u lind në Tiranë më 7 shtator të vitit 1957. Edhe pse pasioni i tij i hershëm ishte arti dhe dëshironte të vijonte studimet në mjekësi, arkitekturë apo juridik, ai vijoi studimet e larta në financë. Pasi përfundoi studimet ne fakultetin ekonomik, Artan Santo ndoqi instiktet e tij dhe vijoi studimet në degën e juridikut, ku u diplomua me rezultate të larta. Artan Santo njihej si një nga bankierët më të njohur në vend. Ai ka luajtur një rol të rëndësishëm si drejtues në Bankën e Kursimeve e më pas drejtoi bankën “Credins”, ku edhe është bashkëpronar. Artan Santo ishte jo vetëm një bankier, por edhe biznesmen i suksesshëm. Ai ishte bashkëpronar i “Focus Media Group” dhe televizionit ekonomik “TV Scan”. Artan Santo gjatë këtyre viteve ka treguar përmes veprimeve të tij se ishte një njeri mjaft i zoti në botën e shifrave edhe pse nuk hoqi kurrë dorë nga dashuria e tij e madhe për artin. Në një intervistë, Artan Santo, i cili humbi jetën në moshën 57-vjeçare duke hyrë në ambientet e bankës që drejtonte, kishte pohuar para pak kohësh: “Ka njerëz që kërkojnë të fitojnë sa më shumë para’ në një kohë të shkurtër, mirëpo harrojnë se kanë fituar para’, por kanë humbur veten. Zotësia është që t’i bësh të dyja njëtrajtësisht dhe unë këtë jam munduar të realizoj në jetë.” Artan Santo ishte i martuar dhe kishte dy fëmijë: një djalë dhe një vajzë, me të cilët kishte një lidhje të veçantë. Miqtë dhe kolegët e tij e kanë cilësuar si një njeri të shoqërueshëm, të sjellshëm, me mjaft shije dhe plot energji. E ndryshe nga shumë bankierë të llogaritur, Artan Santo, i cili nuk ka reshtur së shkruari, ka ndihmuar qindra autorë të rinj të njohur dhe të panjohur.

VIDEO 

FOTO

 VIDEO: Pamje nga vendngjarja dhe viktima

 VIDEO: Kush ishte Artan Santo

 VIDEO: PD, Ristani: Tani askush nuk është më i sigurt

Policia e shtetit publikon foto të atentatorëve në ikje e sipër

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit