
Slogani i ri i Shqipërisë është “Albania, Go your own way!”. Autoritetet shqiptare shpallën fituese kompaninë Strawberry Frog APCO. Ajo fitoi çmimin e parë si platforma më e mirë multimediale për të promovuar Shqipërinë. Çmimi i dytë shkoi për Interface Tourism Group dhe i treti për Hemington. Këto çmime u dhanë në konkursin ndërkombëtar për shpalljen e kompanisë fituese për realizimin e platformës multimediatike “Branding Albania”:
Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit kishte mbledhur 110 projekte vendase dhe ndërkombëtare për fushatën “Branding Albania”.
Juri e përzgjedhur
Në juri ishin mes të tjerësh, gazetari i njohur italian, Bruno Vespa, si dhe Ahmed Obaid Al Mansoori, themelues i një prej të muzeumeve më interesantë të botës, në Dubai, anëtar i Komunitetit në Punët e Jashtme, i Planifikimit dhe Burimeve Minerare në Këshillin Kombëtar Federal të Dubait; Christophe Ginisty, John Kester, menaxher i Programit të Strategjive të Marketingut dhe trendeve të Turizmit në Organizatën Botërore të Turizmit;
Paavo Pettai, Drejtori strategjik i një kompanie marketingu që është bërë e njohur botërisht për promovimin e turizmit të Estonisë; Rana F. Nejem, nga Jordania, themeluese e një organizate të njohur të etikës ndërkulturore të biznesit; Mimoza Kusari Lila, kryetare e Bashkisë së Gjakovës, ish zv/kryeministre, Endri Fuga, këshilltar i kryeministrit Rama dhe Eglantina Gjermeni.
Përballja me realitetin
Nisma lindi si një nevojë për t’ju përshtatur realitetit, përpjekjeve të qeverisë shqiptare për të rritur numrin e turistëve, të huaj sidomos, por edhe për të rritur investimet e huaja në vend.
Synohet që të lançohet imazhi i ri i Shqipërisë dhe potencialit të saj turistik, një portë hyrëse për investimet e huaja në rajonin Ballkanik, një Shqipëri faktor stabiliteti, sigurie dhe paqeje në rajon, për një Shqipëri Europiane, një Shqipëri të Gjeneratës tjetër.
Logoja dhe slogani synojnë të shprehin një Shqipëri, përmes një mesazhi që përfaqëson vendin, si dhe për një promovim më të mirë të potencialeve tona turistike, mundësitë e pafundme për investime, potencialin intelektual dhe identitetin tonë kombëtar.
Ministrja Eglantina Gjermeni duke lançuar sloganin e ri, tha se “pritet që me këtë projekt të ndryshojë rrënjësisht imazhi i vendit në një mënyrë tjetër”.
“Presim një imazh që reflekton energjinë dhe vitalitetin e popullit tonë, potencialin e madh për zhvillim, traditën e mikpritjes, kulturën e pasur dhe trashëgiminë e jashtëzakonshme historike, vendet dhe peizazhet e mrekullueshme”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





