Transmetuar më 13-05-2014, 12:23

Kukësi kërkon trofeun e parë në historinë e kësaj skuadre dhe për këtë arsye po vazhdon me intensitet përgatitjet për finalen e kupës kundër Flamurtarit, citon Supersport.

Skuadra veriore beson se ka ardhur koha që investimi i presidentit Gjici të përkthehet në suksese konkrete dhe në këtë aspekt, finalja ndaj vlonjateve është më shumë se një 90 minutësh për ta.

Për vlonjatin Argent Halilaj, finalja e “Qemal Stafas” është edhe një takim kundër të shkuarës pasi ai e ka fituar një Kupë me Flamurtarin.

“Nuk është një ndeshje e zakonshme sepse jo gjithmonë në futboll mund të luash finale. Ne jemi shumë të motivuar”.

Në vijim, gardiani i nënkampionëve të Shqipërisë shpreh bindjen se ka ardhur momenti që Kukësi të arkivojë suksesin e parë në historinë e këtij klubi.

”Është një ndeshje e vështirë. Kukësi e pret prej dy vitesh këtë trofe dhe ka ardhur momenti që ta fitojë”.

Për Halilajn, skuadra e tij nuk duhet të bazohet shumë te forma e treguar nga Flamurtari gjatë këtij sezoni, pasi në këndvështrimin e tij, diferencat që tregon klasifikimi nuk ekzistojnë.

“Kjo është vetëm një ndeshje dhe besoj se do të jetë shumë e luftuar. Diferencat e kampionatit nuk do të ndikojnë aspak”.

Në fund, Halilaj i përgjigjet me diplomaci pyetjes për një interesim të mundshëm nga ana e Flamurtarit.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit