

Tiranë,30 prill 2014, NOA.al- Reforma në fushën e artit ka nisur dhe është pa kthim prapa, kjo ka qenë përgjigja që iu ka dhënë Ministria e Kulturës, artistëve që protestojnë prej disa ditësh. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, Ministria e Arsimit bën të ditur se ajo ka marrë përsipër që në fillim të punës së saj të reformojë institucionet e artit në vend, për të nxitur krijimtarinë, për të rritur cilësinë artistike si një zhvillim i natyrshëm e profesional i karrierës për të gjithë artistët, për të garantuar e respektuar dinjitetin e artistit dhe duke synuar përfshirjen e të rinjve në këto institucione.
“Reforma ka filluar dhe është pa kthim sepse ajo është e shëndetshme për skenën artistike dhe për talentet e artit”, thuhet në deklaratë.
Duke e konsideruar si të domosdoshme dhe të rëndësishme çeljen e reformës në Institucionet e Artit, Ministria e Kulturës thekson se kjo reformë do të bëhet në bashkëpunim me komunitetin, duke mos shkurtuar asnjë vend pune, por duke vendosur promocionin e cilësisë artistike, sistemin e kontratave individuale, kategoritë e detajuara, sistemin e vlerësimit dhe disiplinën artistike.
Gjithashtu, për të qenë sa më të qartë dhe transparentë me komunitetin artistik dhe opinionin publik, Ministria e kulturës thekson se nuk ka propozuar asnjëherë kontrata të thjeshta 6 mujore pune ne TKOB.
“Termat e kontratës së propozuar dhe sidomos neni 10 i saj, qartësisht theksojnë propozimin për një kontratë 1 vit e gjashtë muaj minimale dhe maksimale 3 vjet e 6 muaj. Periudha 6 mujore tranzitore kishte si qëllim realizimin e një procesi transparent për sistemin e vlerësimit profesional dhe kategorizimin e pagave të artistëve, i cili në kushtet aktuale mungon”, thuhet në deklaratë.
Sipas ministrisë, meqenëse kjo periudhë tranzitore nuk u kuptua dhe keqinterpretohet, në bisedën e fundit të ministres së Kulturës dhe artistëve përfaqësues në takimin e datës 29 prill 2014, u ra dakord që kjo periudhë 6 mujore tranzitore të mos përfshihet në kontratat që do të propozohen në vijim.
Duke patur parasysh specifikën e TKOB si një teatër me trupa artistike, stafi drejtues i Ministrisë së Kulturës dhe drejtoria e TKOB, në bashkëpunim me përfaqësi të sindikatës se artisteve dhe të Teatrit të Operas dhe Baletit dhe artistë të tjerë të këtij Institucioni, kanë zhvilluar disa raunde bisedash e negociatash që kanë synuar ndër të tjera njohje me reformën dhe sqarim mbi gjendjen aktuale të marrëdhënieve të punës të artistëve në TKOB, e cila karakterizohet nga:
1. Mungesë e plotë e kontratave të vlefshme të punës.
2. Moszbatim të ligjit mbi Artin dhe Kulturën, i cili qartësisht detyron institucionin e artit të lidhë kontrata individuale mes punëdhënësit dhe punëmarrësit.
3. Paqartësi të vijueshmërisë së marrëdhënies së punës
4. Arbitraritet në kategorizimin profesional të artistëve
5. Moszbatim të parashikimeve të kontratës kolektive e cila presupozon ekzistencën e kontratës individuale si garanci e marrëdhënieve personale të punës mes punëmarrësit e punëdhënësit.
Në këto kushte, të ndjeshëm edhe ndaj nevojave të këtij komuniteti për të përcaktuar qartë mekanizmin e synimeve të përbashkëta që u përmendën më lart, si dhe në kushtet e keqinformimit mbi cilësinë dhe qëllimin e kësaj reforme të domosdoshme dhe të kërkuar nga i gjithë komuniteti i artistëve, Ministria e Kulturës propozon ngritjen e një grupi të përbashkët pune me përfaqësues nga të gjithë sektorët e trupës artistike të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, të administratës së këtij institucioni dhe të administratës së MK, për të bërë të mundur hartimin e një skeme të qartë punësimi dhe zhvillimi karriere, sipas modeleve të njohura të institucioneve artistike evropiane në të cilat duam të integrohemi. /e.gj/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





