Transmetuar më 30-04-2014, 16:41

Tiranë,30 prill 2014, NOA.al- Ka ardhur koha që të mësojmë nga eksperiencat e njëri-tjetrit për të krijuar një klimë biznesi sa më miqësore në nivel rajonal, kështu u shpreh kryetari i Kuvendit Ilir Meta gjatë fjalës së tij në Forumin e Biznesit dhe Investimeve Maqedoni-Shqipëri-Kosovë, që u zhvillua në Tiranë.

Kreu i Kuvendit e vlerësoi këtë aktivitet të rëndësishëm, duke e cilësuar si një iniciativë domethënëse dhe në kohën e duhur.

Sipas Metës, ky aktivitet ka një risi, sepse ndoshta për herë të parë më tepër se kurdoherë rajoni ynë duhet të shikohet si një treg rajonal investimesh, jo vetëm për investimet e ndërsjellta, por sidomos për investimet e huaja strategjike në vendet tona.

“Ka ardhur koha që të mësojmë nga eksperiencat e njëri-tjetrit për të krijuar një klimë biznesi sa më miqësore në nivel rajonal ku më tepër sesa konkurrencës me njëri-tjetrin duhet t’i japim më shumë rëndësi konkurrencës së rajonit tonë me rajonet e tjera kudo në botë për shkak se tregjet tona modeste dhe të fragmentuara nuk mund të bëhen një atraksion i vërtetë për investitorët e mëdhenj strategjikë në rast se nuk do të shkojmë drejt krijimit të një tregu rajonal për investimet e huaja”, tha  Meta.

Duke folur për situatën ekonomike në rajon, Kryetari i Kuvendit tha se ajo është akoma e brishtë dhe se kjo e bën edhe më emergjente nevojën për të ndërmarrë reforma të thella strukturore ekonomike për të përqafuar një model ekonomik që ka në zemër nxitjen e prodhimit dhe eksporteve, thithjen e investimeve në manifakturë, turizëm, bujqësi, në shërbime dhe teknologjinë e informacionit, etj.

“Të gjitha këto do të ishin gjysmake në rast se nuk do të kishim si objektiv final hapjen e vendeve të reja të punës, reduktimin drastik të varfërisë dhe pabarazisë sociale. Javën e kaluar pata mundësinë që të isha në një vizitë informale në Maqedoni, vetëm me një qëllim, për të parë në vend se si funksionojnë atje zonat e lira dhe parqet industriale, përkatësisht në Shkup dhe në Tetovë. Dhe njëkohësisht për t’u njohur me reformat që ka ndërmarrë qeveria në Maqedoni për transformimin e klimës së biznesit, duke patur një sukses mjaft të konsiderueshëm në këtë drejtim”, shtoi  Meta.

Sipas Kryetarit të Kuvendit, eksperienca të tilla na ndihmojnë që në një kohë sa më të shpejtë të jemi të përgatitur për të pritur me vepra konkrete, me lehtësi konkrete, investitorët e huaja në të gjitha vendet tona.

“Është mjaft e rëndësishëm që të kuptojmë se duhet të çlirohemi nga madhështitë tona të dikurshme, nga megalomania jonë ballkanike, se vendi ynë, në rastin tonë Shqipëria, në rastin tuaj Maqedonia, në rastin tjetër Kosova apo Serbia, është vendi më interesantë në botë për të investuar dhe nuk ka asnjë vend tjetër”, tha z. Meta.

Ndërkaq, z. Meta shprehu bindjen se pas sfidës së rikthimit të konfidencës në financat tona publike dhe në ekonominë tonë, ku sipas tij marrëveshja me FMN-në ka luajtur një rol vendimtar, Shqipëria do të ecë akoma më shpejt me reformat për të përmirësuar klimën e biznesit dhe të investimeve si garancia më e sigurt për zhvillimin e qëndrueshëm, për prosperitet dhe për kohezion social, gjë që do ta ndihmojë vendin edhe për t’u integruar më shpejt në BE.

Duke përfunduar Kryetari i Kuvendit shprehu dëshirën që aktivitete të tilla në të ardhmen ta zgjerojnë më tej hartën e bashkëpunimit në rajonin tonë në mënyrë që ky të jetë një nga rajonet më të zhvilluara të Evropës. /e.gj/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit