

Tiranë, 30 prill 2014, NOA.al- Partia Demokratike nëpërmjet deputetit Kletis Kruja, ka denoncuar atë që e ka quajtur zaptimin e një parcele toke nga një përfaqësues i shtetit.
“Një shef i task-forcës së INUK, Alket Hyseni, ka zaptuar pronën private të një qytetari në Golem, në mes të ditës dhe nën hundën e të gjithë institucioneve. Historia është kjo. Fatmir Musaj ka ndërtuar një fshat turistik. Shefi i INUK-ut të Edi Ramës ka blerë më parë aty një vilë. Jo vetëm që nuk ia ka shlyer të gjithë pagesën investitorit të fshatit turistik, por tani që ka marrë detyrën e rëndësishme, i thotë pronarit se ka ndërmend ti marrë edhe parcelën ngjitur me vilën e tij, ende të papaguar. Dhe ashtu bën, e rrethon, e betonon, dhe e bën të tijën. Investitori ankohet në polici. Ankohet tek INUK. Ankohet kudo, po nuk gjen zgjidhje. Punimet vazhdojnë. Pronari i tokës ka bërë kallëzim në Prokurori”, u shpreh Kruja.
Në vijim ai tha se Partia Demokratike e denoncon këtë akt duke e quajtur një akt banditesk dhe të frikshëm të marrjes së pronës me dhunë, nga një përfaqësues i shtetit, duke abuzuar me postin dhe lidhjet qeveritare që gëzon.
Më tej Partia Demokratike i kërkon Prokurorisë që të hetojë menjëherë dhe të vërë para përgjegjësisë shefin e INUK.
Deputeti demokrat e cilëson këtë akt, si një një precedent të rrezikshëm për Shqipërinë dhe një këmbanë alarmi për mungesën e sigurisë juridike, që tregon se qytetarët janë krejt të pambrojtur nga ligji, nga shteti, dhe se në Shqipëri nën dyshen Rama-Meta, është instaluar rregulli i xhunglës, ku fiton më i forti./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





