
Tiranë, 30 prill 2014, NOA.al- Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka pritur në takime të veçanta përfaqësuesit e Bankës Botërore Tahseen Sayed dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Nadeem Ilahi.
Gjatë këtyre takimeve, Basha shprehu shqetësimin e Partisë Demokratike dhe të opozitës për kursin e gabuar ku qeveria ka futur ekonominë shqiptare.
Gjatë takimit ai deklaroi se ka rënie të mbledhjes së të ardhurave, jo vetëm krahasuar me periudhën e mëparshme, por edhe duke marrë parasysh vetë parashikimet e qeverisë.
Kryetari i opozitës tha se është shumë shqetësuese mungesa e transparencës nga qeveria në lidhje me vendimet dhe të dhënat zyrtare.
Gjatë bisedave me ta, kreu i PD deklaroi se, “Qeveria ka krijuar pasiguri juridike, çka ka dëmtuar biznesin dhe ka stepur investitorët. Treguesit e ekonomisë janë në përkeqësim, rënie, ose dobësim. Ulja e ndjeshme e mbledhjes së të ardhurave, është tregues i evazionit, korrupsionit dhe rritjes së informalitetit në ekonomi. Nga ana tjetër është rritur praktika e prokurimit të drejtpërdrejtë nga ana e qeverisë, dhe qeveria po vonon informacionin në këtë drejtim të kërkuar nga opozita në rrugë parlamentare”.
Basha tha se është krijuar një klimë pasigurie e përgjithshme që ka dëmtuar rëndë ekonominë dhe biznesin dhe si rezultat ka mbyllur vende pune dhe zvogëluar shanset për punësim.
Në vijim kreu i opozitës i njohu përfaqësuesit e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar edhe me rënien e nivelit të pagesave nga qeveria të detyrimeve ndaj subjekteve të përfshira në investimet publike krahasuar me periudhën e qeverisjes së mëparshme, dhe me uljen e rimbursimit të TVSH-së.
Sipas tij, në këtë situatë, ekonomia, tregu financiar, konsumatorët dhe investitorët kanë reaguar e po reagojnë keq, duke shënuar përkeqësim në cdo drejtim./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





