
Lezhë, 29 prill 2014, NOA.al- Policia e Lezhës ka mundur të zbulojë pas rreth 20 orësh misterin e gjymtyrës së njeriut, e cila u gjet në bregdetin e Shëngjinit pasditen e djeshme.
Grupi hetimor zbuloi sot se këmba i përket një të moshuari, i cili e kishte prerë atë në spital dhe familjarët e tij e hodhën në lumin Mat. Më pas prurjet e lumit e kanë sjellë në bregdet në vendin e quajtur Kune-Shëngjin, Lezhë.
Sipas policisë për këtë ngjarje ka nisur procedimi penal në ngarkim të 32-vjeçarit Enkeled G, banues në Lezhë, me profesion Kryeinfermier i Spitalit Rajonal Lezhë, për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”.
Më 12 mars të këtij viti në Spitalin e Lezhës është operuar 74-vjeçari M. Gj. banues në Gëziq-Mirditë dhe pas operacionit në kundërshtim me rregullat gjymtyra u është dhënë familjarëve nga ana e kryeinfermierit Enkeled G.
Gjymtyra e gjetur nga kalimtarë të rastit hodhi dyshime se bëhej fjalë për ndonjë person të masakruar të hedhur më pas në det, por dyshimet ranë pas thellimit të hetimeve, të cilat zbuluan se gjymtyra ishte hedhur pas kryerjes së një operacioni./k.k/noa/al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





