
Autoriteti i Mediave Audiovizive thotë se nga matjet e zhvilluara nga specialistët e AMA-s, në dhjetor 2013, për monitorimin e shfrytëzimit të spektrit të frekuencave televizive në territorin e Shqipërisë, ka rezultuar se:
Televizioni “Klan” mbulonte me sinjal të dobët deri në 53.9 %; ndërsa me sinjal mesatar deri në 36.8 %.
Televizioni “Top Channel” mbulonte me sinjal të dobët deri në 51.4 %; ndërsa me sinjal mesatar deri në 36.5 %.
Kurse nga një tjetër matje e bërë në Janar 2014 rezulton se Top Channel mbulon me sinjal mesatar 36.5 përqind të territorit të vendit.
AMA sjell në vëmendje se subjektet private kombëtare, sipas ligjit dhe licencës së miratuar, janë të detyruar të mbulojnë jo më pak se 80% të territorit të vendit.
“Si televizioni “Top Channel” ashtu edhe televizioni “Klan” janë licencuar për të ofruar shërbimin programor hapur, pa pagesë për publikun. Me qëllim që të sigurohet marrja e këtyre programeve nga popullsia edhe në zonat që nuk mbulohen me sinjal prej tyre, bazuar në nenin 87 të ligjit nr. 97/2013, subjektet e autorizuar për ripërsëritjen e programeve audiovizive të të tretëve në këto zona, duhet të detyrohen të përfshijnë në paketat e tyre programore edhe programet “Tv Klan”, “Tv Top Channel” dhe, të paktën, një program të operatorit publik”, – deklaron AMA.
Ajo shton se detyrimi për mbartjen e programeve vendoset ndaj operatorëve të rrjeteve kabllore, pasi në zonën e tyre të licencimit këto të fundit shfrytëzohen nga një numër i konsiderueshëm përdoruesish, si mjeti kryesor për marrjen e programeve audiovizive.
Në zbatim të ligjit “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, Këshilli i AMA-s vendosi detyrimin e mbartjes ndaj operatorëve të komunikimeve elektronike rrjetet kabllore të të cilave shfrytëzohen nga një numër i konsiderueshëm përdoruesish.
Pra, operatorët e rrjeteve kabllore, në zonat që nuk mbulohen me sinjal nga televizionet “Top Channel”, “Klan” dhe RTSH, duhet të transmetojnë pa pagesë programet e këtyre televizioneve, që janë me interes për publikun. Po ashtu, qytetarët e abonuar në rrjetet kabllore nuk duhet të paguajnë tarifa shtesë për marrjen e këtyre programeve.
AMA thotë se “me këtë vendim, qytetarët shqiptarë nuk janë më të detyruar të blejnë paketën e shtrenjtë “Dixhitalb”, për të parë programet kombëtare, të cilat duhen të shikohen pa pagesë në gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë”.
Kurse shton: “Vendimi i fundit i marrë nga AMA në këtë drejtim i jep fund monopolit të kompanisë Dixhitalb mbi televizionet kombëtare duke e detyruar qytetarin të blejë atë që ligji ja jep falas”.
Reagimi nga Top Channel dhe Digitalb ka qenë i vazhdueshëm lidhur me këtë vendim duke e konsideruar të padrejtë.
Aktualisht, asnjë nga televizionet kombëtare, TVSH, Top Channel dhe Tv Klan nuk transmeton pa pagesë në paketat me pagesë dixhitale, si Digitalb, kabllore si ABCom dhe të tjera në të gjithë vendin.
Ndërkohë platforma Tring nuk transmeton programet e kanaleve Top Channel dhe Tv Klan, sikurse Digitalb nuk akseson kanalin kombëtar satelitor Vizion Plus.
Kurse në rrjetin dixhital tokësor, nëse dispononi televizorë prodhimev të viteve të fundit me dekoder të integruar, aksesoren kanalet Top Channel HD por jo ai standard, Tv Klan HD, por jo ai standard si dhe RTSH HD. Gjithashtu gjenden edhe kanale të tjera shtetërore, RTSH Art, RTSH Sport, RTSH Muzikë të cilët japin vetëm programe të përsëritura arkivi.
Në rrjetin dixhital tokësor gjenden edhe kanale të tjera si News 24 HD, Ora News HD, Channel One HD, si dhe Klan +, Klan Kosova dhe ABC News HD. /a.c/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





