
Dogana e Republikës së Kosovës, shpalli sot vendimin se nga data 5 maj 2014 do të doganojë mallrat e tekstilit vetëm në emër të pronarëve të tyre.
Kjo do të thotë pavarësisht nga mënyra e transportit të mallrave, të gjithë pronarët e mallrave të cilët i blejnë mallrat në Turqi dhe vende tjera, duhet t’i deklarojnë personalisht për doganim pranë Doganës së Republikës se Kosovës.
Dogana e Kosovës thotë se vendimi erdhi duke marrë për bazë dispozitat e Kodit të Doganës dhe Akcizës, kërkesat e pronarëve të mallrave të përziera të cilat importohen nga Turqia, Kina, Bullgaria dhe Dubai si dhe disa kërkesa të cilat ishin të shprehura nëpërmjet një proteste të datës 22 prill 2014.
“Me këtë sistem dogana dhe pronarët e mallrave do të jenë në përputhje të plotë me dispozitat ligjore të vendit tonë dhe do vendosin rregull, rend dhe trajtim të barabartë për të gjithë importuesit dhe pronarët e mallrave”’, – deklaron Dogana e Republikës.
Ajo paralajmëron se të gjithë pronarët e mallit të cilët prezantojnë dokumente valide në doganë, vlera e atyre mallrave nuk do të kontestohet dhe nuk do të rritet nga ana Dogana e Kosovës.
“Dogana është e përkushtuar për të vendosur sundimin e ligjit në të gjitha procedurat doganore për të krijuar konkurrencë të drejt dhe për ta lehtësuar biznesin e ndershëm”, – thotë Dogana e Kosovës. /a.c/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





