
Tiranë, 29 prill 2014, NOA.al- Deputeti demokrat Aldo Bumçi deklaroi se Kryeministri Edi Rama duhet të japë llogari për çdo mashtrim, duke nisur nga ai për legalizimet falas.
Bumçi tha se çdo shqiptar e ka kuptuar se legalizimet falas ishin kryemashtrimi i Ramës dhe se legalizimi falas është tullumbacja e tij e cila ka plasur, dhe si e tille çfarëdo që të bëjë Edi Rama, nuk e fryn dot më.
Sipas tij, në asnjë prej 26 neneve të projektligjit me firme e vulë të kryeministrit, nuk flitet për legalizim falas.
“Sipas nenit 9 të projektligjit, vetëm tarifa do paguhet nga shteti. Kjo tarifë për ata që nuk e kanë paguar, është maksimumi 20 mijë lekë. Qeveria ka planifikuar të arkëtojë nga pagesat e legalizimeve të ndërtimeve pa leje, afërsisht 52 milionë dollarë, deri në vitin 2017. Legalizim “falas“ për Edi Ramën do të thotë që qytetarët të paguajnë mbi 1.3 miliardë lekë çdo vit, për vitet 2014, 2015, 2016 dhe 2017. Nuk ka sot shqiptar që beson se një qeveri mund të arkëtojë një shumë të tillë, nga një proces falas. Të gjithë ata që kanë ndërtuar banesa, lokale apo garazhe pas 15 janarit 2009, apo nuk kanë aplikuar deri tani për legalizim, sipas nenit 1, pika 1 dhe pika 5 e projektligjit, nuk do të legalizohen, dhe investimet e tyre do të prishen. Të gjithë ata që në zonat me studim urbanistik, kanë banesa më pak se 5 kate, nuk do të legalizohen”, u shpreh Bumçi.
Ai tha se kjo është presion ndaj qytetarëve, që të lidhin kontrata me ndërtuesit e pallateve. Deputeti demokrat nënvizoi më tej se pas protestës së banorëve të Kamzës për mashtrimet me legalizimin falas, aty ku ende nuk është tharë firma e Ramës mbi mashtrimin elektoral, Kryeministri nga zyra e tij i kërcënoi se do të përdorë të gjithë fuqinë tij për tu hakmarrë, te vetmen gjë që po dëshmon çdo ditë, se di ta bëjë mirë.
Bumçi tha se Kryeministri Rama bën mirë që është i frikësuar nga populli i tij por kërcënimi veçse e bën dhe më të vështirë mbijetesën e tij politike./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





