

Tiranë, 29 prill 2014, NOA.al- Në një konferencë të mbajtur lidhur me reformën e pensioneve Kryeministri Edi Rama tha se shteti nuk merr pasuri për të shpërndarë varfëri, por se kontributet do të kthehen.
Ai theksoi se midis kontributeve dhe pensioneve ekziston një gropë e përvitshme, ku analizoi të dhënat për vitin 2014.
“Ne e kemi të domosdoshme një reformë që koha e kërkon me urgjencë.Gjithsesi, pas analizës së situatës, buxheti i vitit 2014 e ka rritur me rreth 5 %, në raport me vitin e kaluar, planin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, duke siguruar praktikisht një fond prej 100 miliardë lekësh ose 100 milionë dollarësh. Sepse çdo vit ka ardhur duke u rritur ky fond, për shkak se gropa shkon duke u zgjeruar. Por, 2014-a nuk mund të mos jetë edhe viti kur ne ta mbyllim këtë “kapak” dhe të hapim një “kapak’ tjetër, të një kapitulli tërësisht të ri, me sytë nga e ardhmja, duke bërë një reformë që do të fillojë t’i ketë efektet e menjëhershme në vitin 2015-të. Por, e përsëris, është llogaritur që të ketë një ekuilibër të plotë moral, në raport me kujt do t’ia kërkojmë sakrificat, sipas shkallëve. Sigurisht, ata që do të bëjnë sakrificën më minimale do të jenë ata që i ka ardhur radha për të dalë në pension sot. Të gjithë dokrrat dhe dezinformimet apo keqinformimet për rritje të moshës së pensionit në mënyrë të menjëhershme nuk vlejnë. Rritja do të jetë në rastin e grave, vetëm 2 muaj në vit. Kush do dilte në 1 janar, do të dalë në muajin shkurt të vitit të ardhshëm”, deklaroi Rama.
Në këtë linë kreu i qeverisë deklaroi se do t’i jepet kohë publikut që të mësojë të vërtetën dhe se efektet e reformës do të ndihen në vitin 2015.Kryeministri deklatoi se duke filluar nga një fakt shumë i thjeshtë, vitin e ardhshëm, 2015-të, shfaqen në horizontin e moshës së pensionit, persona që rrezikojnë të mbeten pa asnjë lloj pensioni, sepse nuk kanë kontribute të mjaftueshme dhe janë 5 mijë persona.
Në këtë linjë ai shtoi se në rast se ne do të mbyllen sytë, siç i kanë mbyllur paraardhësit do të shtyhej reforma për më tutje, 2015-a do të fillonte me shfaqjen e kësaj kategorie të re njerëzish, që për shkak se nuk i plotësohen vitet e kontributeve, dalin pa asnjë pension.
“Pension social, që është një nocion i ri për Shqipërinë, por aspak një shpikej shqiptare, po një nocion që lidhet drejtpërdrejtë dhe me të qenit tonë një “Aleancë për Shqipërinë Evropiane” dhe e socialistëve dhe progresistëve shqiptarë, vjen si ilaçi i parë për këtë gangrenizim të tmerrshëm të të gjithë organizmit të sistemit të pensioneve në Shqipëri, që realisht rrezikon të kolapsojë. Nëse do të shikonim pa ndërhyrë, deficitin që shkakton skema e sotme, është e qartë që deficiti bëhet në 10 vjet, deficiti të bëhet përfundimisht mbytës dhe vrastar. Të bëhet mbytës dhe vrastar, jo thjesht më për njerëzit në nevojë, por për gjithë ekonominë dhe për gjithë funksionimin e shtetit tonë. Kështu që, kjo është një domosdoshmëri që ne sot e adresojmë, por që ne nuk e zgjidhim me urgjencë. Kjo është pika e dytë shumë e rëndësishme e kësaj reforme. Nuk e zgjidhim me urgjencë, sepse nuk kemi zgjedhur ato formulat tipike të një tranzicioni brutal dhe injorant, që ka krijuar kosto në vijimësi, qoftë tek ata që e jetojnë, qoftë te brezat që vijnë. Por kemi adresuar një zgjidhje, e cila shtrihet në kohë”, tha ndër të tjera kreu i qeverisë.Ai bëri me dije se do të ndërtohet një skemë ku përfitimi varet nga kontributet.
Nga ana e tij Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Erion Veliaj, deklaroi se gjatë reformës së pensioneve do të preken 50 parametra të sistemit aktual.
Në prezantimin e dokumentit të politikave, ministri Veliaj shpjegoi hollësisht dy opsionet e hartuara nga ekipi i ekspertëve të MMSR-së, të ndihmuar edhe nga Banka Botërore, duke vënë në dukje të gjitha risitë që këto propozime sjellin në skemën e re të pensioneve.
“Skema aktuale e pensioneve jep pensione shumë të ulëta për qytetarët shqiptarë dhe nëse nuk reformohet, në të ardhmen pensionet do jenë akoma më të ulëta. Reforma që ne kemi hartuar ka si synim themelor që qytetarët shqiptarë të kenë pensione më të larta në të ardhmen, sigurisht në përputhje me kontributet që kanë derdhur” deklaroi Veliaj.
Teksa shpjegoi formulën e llogaritjes së pensionit sipas opsionit të parë të propozuar, Veliaj shtoi se nuk do të ketë më pensione të pjesshme apo pensione të plota, kurse periudha minimale e sigurimit për të përfituar pension do vazhdojë të mbetet 15 vjet. “Por, ndryshimi është se nuk do të ketë më periudhë maksimale sigurimi. Kështu, pensioni do jetë: pension social plus 1% të çdo viti. Nëse janë 20 vite të siguruara do të jetë nga 1% për çdo vit, pra 20% e bazës së vlerësueshme, e nëse janë 40 vite të siguruara do të jetë 40% e bazës së vlerësueshme. Pra, sa më shumë të kontribuojnë një qytetar aq më i lartë do të jetë pensioni”, nënvizoi ai. “Një individ që kontribon për 40 vite do të përfitojë në pension 40% të pagës së tij mesatare” përfundoi Veliaj.
Çka do të thotë se për të pasur një pension sa më të lartë, gjithkujt i intereson të deklarojë sa më shumë vitë pune, por edhe pagën reale. “Sa më shumë vite të deklarosh, aq më shumë përfiton. Kjo do të nxisë edhe deklarimin e pagës reale dhe ul numrin e qytetarëve që punojnë në të zezë”, tha Veliaj.
“Në opsionin e parë ne ulim defiçitin, shëndoshim financat publike, duke ditur se edhe paratë e thesarit janë të qytetarëve sepse nuk taksojmë dyfish si bëhej më parë, njëhërë kur paguan sigurimet dhe njëherë kur u marrin taksimin. Opsioni i dytë është shumë i ngjashëm me të parin: masa e pensionit varet nga historia e kontributit të sigurimeve shoqërore. Në bazë të kontributit përcaktohet dhe niveli i përfitimit”, nënvizoi ai.
Duke u fokusuar në një nga risitë e reformës së pensioneve, pra tek pensioni social, ministri tha se futja e këtij koncepti është bërë për të ndihmuar kategorinë e atyre personave që janë mbi 70 vjeç, por që aktualisht nuk kanë asnjë të ardhur.
“Sot kemi rreth 5 mijë vetë në këtë moshë, që nuk kanë asnjë të ardhur, të cilët do të përfitojnë pension social nga janari 2015. Ky element tregon fytyrën njerëzore të qeverisë, e cila u jep diçka kësaj kategorie për të siguruar minimumin jetik”, tha Veliaj.
Minsitri bëri me dije se me reformën e re, paga minimale kontributive do të jetë sa paga minimale zyrtare, ndërsa, paga maksimale kontributive do të jetë sa është edhe sot, por në të ardhmen do të indeksohet sipas rritjes së pagës mesatare në shkallë vendi.
Nga ana tjetër, ministri Veliaj nënvizoi se nuk ka më kuptim që të kemi dy skema paralele, një për fshatin e një për qytetin. Sipas tij, deri më sot, të vetëpunësuarit në bujqësi kanë derdhur shumë më pak kontribute se të vetëpunësuarit në qytet, ndërkohë që marrin një pension thuajse të barabartë me ta.
Lidhur me rritjen e moshës së daljes në pension, Veliaj sqaroi edhe njëherë se nuk rritja do të jetë në mënyrë graduale për femrat, ndërsa për meshkujt ajo do të rritet vetëm pas vitit 2032. “Mosha e pensionit do të rritet në përputhje me rritjen e jetëgjatësisë, me dy muaj në vit për grate, duke u bërë 63 vjeç në vitin 2032. Më pas, do të rritet mosha e burrave dhe grave bashkë për të shkuar në 67 vjeç në vitin 2056”, shpjegoi ai.
Sa i takon çështjes së pensioneve suplementare për funksionarët e lartë, z. Veliaj tha se do të ketë një rishikim të skemës, mosha e daljes së tyre në pension do të rritet, ndërkohë për minatorët do të ulet. Përsa u përket skemave private, ato do vazhdojnë të mbeten vullnetare, ndërkohë që do të përmirësohet kuadri ligjor.
Sipas opsionit të dytë, të gjithë individët që kanë filluar punë pas 1 janarit 1994 do të kalojnë në skemën e llogarive nocionale. Të gjithë ata që kanë filluar punë para vitit 1994 do të vazhdojnë në skemën aktuale të reformuar sipas Opsionit 1. Edhe kjo skemë parashikon vendosjen e një pensioni social për ata që nuk kanë kontribute të mjaftueshme. Ndërsa, sa u përket skemave suplementare, skemat profesionale, dhe fondet private do të reformohen sipas propozimeve në opsionin e parë./a.y/noa.al/
DOKUMENTI I PLOTE I POLITIKAVE TË PENSIONEVE
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





