Transmetuar më 28-04-2014, 21:31

Tiranë, 28 Prill 2014 NOA.al- Ministria e Brendshme ka publikuar Buletinin Javor  nga data 21 Prill  deri më 27 prill.

Sipas saj, gjatë kësaj jave janë regjistruar  635 vepra penale dhe janë arrestuar 174 persona, Gjatë kësaj jave janë regjistruar 4 vrasje me 4 viktima, ku 3 prej këtyre vrasjeve janë zbuluar. Ka pasur 4 plagosje të rënda dhe 30 plagosje të lehta.

Gjatë kësaj jave janë kapur 15.8. kg mariuhanë, 27.8 gr heroinë, 70 bimë kanabis.

Po ashtu, gjatë kësaj jave kanë ndodhur 34 aksidente automobilistike, nga të cilat janë plagosur rëndë 11 persona dhe lehtë 32 të tjerë.

Janë kapur 4 persona në kërkim ndërkombëtar dhe  42 në kërkim kombëtar.

TIRANË – VRASJA

RENEA dhe Policia e Tiranës, pranga për autorët e dyshuar

Zbardhet ngjarja dhe kapen brenda pak orësh autorët e dyshuar të një krimi të rëndë ndodhur në kryeqytet. 5 persona si të dyshuar për autorësi dhe implikim në vrasjen e ndodhur në Tiranë, në rrugën "Zonja Curre", në afërsi të fushës “Ali Demi” janë arrestuar në një apartament në Durrës. Operacioni u krye nga forcat RENEA dhe Policia e Tiranës, falë një informacioni të mbërritur në mënyrë operative në policinë e Durrësit. Ata po pregatitnin largimin jashtë Shqipërisë, por ndërhyrja në kohë e Policisë ka dashtuar planin e fshehjes me drejtësinë. 38-vjeçari Aurel Zenka pronar një lokali në zonën e “ish-Bllokut” dyshohet se u qëllua për vdekje me armë zjarri sepse tentoi të hynte në mes të konfliktit për shkak të një borxhi të dy shokëve të tij.

ANTIKORRUPSIONI

Kapet polici i kufirit, mori para për të ndihmuar trafikantin

Një punonjës policie është arrestuar nga strukturat e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, pasi ka ndihmuar një shtetas i cili po trafikonte jashtë vendit për qëllime prostitucioni një femër. Ai është punonjësi i policisë, me detyrë Ndihmës Kontrollor në Pikën e Kalimit Kufitar Durrës, K/Inspektor Artan Telha. Polici ka ndihmuar shtetasin Klodjan Novaku, të kalojë nga Shqipëria për në Itali, së bashku me shtetasin A.Sh., kundrejt shpërblimit në të holla. Gjithashtu është bërë arrestimi i shtetasit Klodjan Halit Novaku, për veprën penale të "Trafikut të të rriturve" e mbetur në tentativë" dhe "Armëmbajtjes pa leje". Fillimi i hetimeve për këtë çështje ka nisur pas kallëzimit të shtetasit R.Sh., i ati i shtetases A.Sh., i cili ka denoncuar në polici se e bija e tij është marrë me anë të mashtrimit me qëllim trafikimin e saj për prostitucion nga shtetasi Klodjan Novaku.

DIBËR

Kapet arsenal armësh, ekspertizë nëse janë përdorur në krime

Një arsenal armësh dhe municionesh luftarake janë kapur nga policia e Dibrës në një banesë, ndërsa “pronari” i tyre është arrestuar. Në orët e para të mëngjesit të së enjtes së kaluar, strukturat Drejtorisë së Policisë së Dibrës finalizuan me sukses operacionin e koduar ”GULINOVI”. Si rezultat i këtij noperacioni është bërë e mundur të sekuestrohet një arsenal armatimi dhe municionesh luftarake, ndërsa është vënë në pranga Shaban Murati. Në banesën e 63-vjeçarit janë gjetur dhe sekuestruar 3 pushkë model -63, 1 automatik, 1 mitraloz, 1 pistoletë, 20 granata, 2800 fishekë, 3 radio marrëse policie dhe 50 copë detonatorë.  Armët e kapura janë dërguar në Institutin e Policisë Shkencore në Tiranë dhe po u nënshtrohen ekzaminimeve të detajuara për të verifikuar nëse ato janë përdorur në ndonjë ngjarje kriminale.

INTERPOL TIRANA

Në pranga 2 të dënuar nga drejtësia italiane,pritet ekstradimi

Në rrugën “Don-Bosko” në Tiranë, Sektori i Forcës Operacionale dhe Kërkimit, ka bërë të mundur kapjen e shtetasit në kërkim Viktor Prek Shkoza, 23 vjeç, lindur dhe banues në Lezhë. Ky shtetas është dënuar me 8 vite burg.V.Penale "Trafikim të narkotikeve kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë” parashikuar nga nenet 283/a/2,22,25 te K.Penal. Viktor Shkoza përgjatë momenteve të kapjes posedonte me vete një pistoletë tip makarov me krehër. Nga Sektori Kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme u arrit kapja e shtetasit në kërkim ndërkombëtar e Emiljan Sofo Burba, 42 vjeç. Gjykata e Apelit në Torino Itali, me vendimin e datës 15.04.2014, e ka dënuar këtë shtetas me 21 vjet burgim, për veprën penale të "Trafikimit të drogës”.

PROSTITUCIONI

Bllokohet hoteli, 3 në pranga

Shkatërrohet baza e prostitucionit në kryeqytet. Policia ka vënë në pranga tre persona, ndërsa dy të tjerë i heton në gjendje të lirë për shfrytëzim prostitucioni. Të arrestuarit janë Agron Koçi, 40 vjeç, i dënuar më parë për mbajtje të lëndëve narkotike, Liljana Aliko, 24 vjeç, lindur dhe banuese ne Delvine dhe Oltion Mehmeti, 28 vjeç, lindur në Skrapar dhe banues në Durrës.

Në gjendje të lirë, hetohen Hekuran.B, 56 vjeç, pronar i hotelit “Kalaja”, i cili është përdorur për qëllime prostitucioni dhe menaxherja e këtij hoteli, Nazmije.V, 47 vjeç. Seksioni Kundër Trafiqeve të Paligjshme ka bllokuar hotelin “Kalaja”, i cili dyshohet se prej kohësh përdorej për shfrytëzim prostitucioni.

Pas marrjes së informacionit në rrugë të sigurta dhe një hetimi rreth 1 mujor me metoda speciale, policia e Tiranës ushtroi një kontroll në këtë hotel ku rezultoi se në këto mjedise vajza të reja përdoreshin për qëllime prostitucioni.

NISMA LIGJORE

Ashpërsim dënimeve për krimet që lidhen me përdorimin e eksplozivit

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën  Publike dhe të Drejtat e Njeriut  miratoi në parim projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime”  në Kodin Penal. Ndryshimet synojnë të trajtojnë në veçanti problematikat: çështja e vjedhjes së energjisë elektrike; ashpërsimi i dënimeve që lidhen me lëndët plasëse; për shkelësit e rregullave të qarkullimit rrugor. “Kemi sjellë disa amendamente në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë duke mbajtur në konsideratë domosdoshmërinë për ashpërsimin e luftës kundër kriminalitetit. Ne vlerësojmë që lufta kundër kriminalitetit nuk presupozon, siç gabimisht ndonjëherë përhapet keqkuptimi kolektiv, vetëm punën që bën Policia e Shtetit, por elementi kyç themelor është ndëshkueshmëria”, u shpreh Ministri Tahiri.

DEBATI PARLAMENTAR

Ministri Tahiri: Të angazhuar për të reformuar sistemin

Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri ftoi opozitën të shmangë debatin pa fakte dhe të heqë dorë nga akuzat boshe për përfitime politike, por çdo akuzë që ngre, ta shoqërojë me fakte. “Kjo mazhorancë dhe qeveria është e hapur të marrë në shqyrtim çdo lloj akuze tuajën që ka fakte konkrete, siç jemi të angazhuar që luftën kundër korrupsionit t’a bëjmë me vepra. Ne kemi zgjedhur që luftën kundër korrupsionit ta zhvillojmë jo vetëm me penalitete, por edhe me modernizimin e sistemit, për t’i dhënë qytetarëve sigurinë që mund të marrin shërbime nga qeveria dhe nga shteti pa pasur nevojë t’i japin para, njërit apo tjetrit, pa pasur nevojë të jenë djali i njërit apo vajza e tjetrit, pa pasur nevojë që të kenë nga pas mikun”, tha ministri Tahiri në seancën parlamentare të javës. /noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit