
Luhet Bayern-Real, të gjithë në Mynih besojnë te përmbysja, kampionët e Europës e vijojnë misionin për të shkuar në finalen e Lisbonës pas disfatës 1-0 që pësuan në “Santiago Bernabeu”, dhe Pep Guardiola në konferencën e shtypit nuk e kurseu ironinë ndaj rivalëve të Realit të Madridit.
“Ne nuk jemi në finalen e Champions. Jemi në disavantazh 1-0 por do të provojmë. Kam lexuar këtë javë se në Madrid që tani janë në finale, jo vetëm që janë në finale, madje jo vetëm që janë në finale, por dhe e kanë fituar, prej asaj që kam lexuar se shkruhet në Madrid.
Ne nuk jemi në këtë situatë. T’i shënosh 2 apo 3 gola Realit nuk është një mision i lehtë, por ne do ta provojmë me të gjitha focat.”
Guardiola kërkon një Franck Ribery në versionin e tij më të mirë për të eliminuar Realin, e madje preferon që francezi të jetë sa më luftarak duke përdorur fjalën i nxehur.
“Franck Ribery është shumë i rëndësishëm dhe i nevojshëm per ne. Ka qenë te Bayerni për një kohë më të gjatë se unë. Jam i lumtur nëse ai luan mirë, me energji dhe motivim. Ndonjëherë ai ka nevojë që të jetë disi i irrituar dhe unë jam i sigurt se ai do të luajë shumë mirë.
Ai ka shpirtin luftarak, ai gjithmonë do të luftojë, ndaj dhe njerëzit e duan”.
“Kemi nevojë për tifozerinë tonë. Nuk besoj se jam unë si trajner ai që duhet të vendosë se çfarë duhet të bëjë tifozerisa, dhe ata e dinë këtë.
Reali i Madridit përfitoi nga ndihma e tifozerisë së tij fantastike, dhe unë e di që tifozët e Bayernit do të jenë me ne, ata do të na ndihmojnë shumë, por nuk mund t’i shënojnë ata golat. Kjo varet nga futbollistët”.
Gjithsesi koncepti i ndihmës që kërkon Guardiola nuk është ai i Rumeniges, që në një intervistë të tij, deklaroi se Reali do të gjente ferrin në “Alianz Arena”.
“Gjermanët janë shumë të edukuar. Këtu ligjet respektohen, dhe tifozeritë sillen mirë. Edhe gazetarët, edhe tifozët kundërshtarë do të jenë të mirëpritur”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





