Transmetuar më 28-04-2014, 18:53

Tiranë, 28 Prill 2014 NOA.al-  Partia Demokratike ka kritikuar kryeministrin Rama për mosreagim të tij në lidhje me atentatin që ju është bërë sot dy djemve të kryekomunarit të Farkës Fatbardh Plaku. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, deputeti i Partisë Demokratike Keltis Kruja, dënon mosreagimin e Kryeministrit dhe kërkon nga Policia e Shtetit zbardhjen e menjëhershme të aktit terrorist.

“Një akt i rëndë terrorist ka ndodhur sot në mes të ditës, në mes të Tiranës, teksa dy persona të maskuar kanë qëlluar me armë ndaj dy djemve të Fatbardh Plakut.  Djali 19 vjeçar i kryetarit të Komunës së Farkës, po merrte nga shkolla vëllain e tij 11 vjeçar dhe të dy po ktheheshin në shtëpi me makinë. Rrugës ata janë qëlluar nga dy persona me skafandra, me motoçikletë, me armë zjarri”, tha deputeti Kruja.

Sipas tij, ky krim i rëndë ndaj familjes së kryetarit të zgjedhur të Komunës së Farkës, është i dyti brenda muajit, kur ende nuk është zbardhur nga policia atentati i parë me anti-tank.

Partia Demokratike e cilëson këtë një akt terrorist të paprecedentë.

“Ngjarja e sotme, tregon se rendi është në ditën më të keqe. Partia Demokratike i kërkon Policisë së Shtetit të zbardhë ngjarjen dhe të marrë menjëherë në mbrojtje kryetarin e komunës së Farkës dhe familjen e tij”, thuhet në deklaratë.

Partia Demokratike i kërkon Kryeministrit të mos bekojë me heshtjen e tij goditjen e përsëritur ndaj familjes së kryetarit demokrat të komunës së Farkës.

PD, i kërkon  Kryeministrit, të marrë masa të menjëhershme.

“Kur sulmohet me armë djali i mitur 11 vjeçar dhe djali 19 vjeçar, teksa kthehen nga shkolla për në shtëpi, situata ka prekur fundin.  Fëmijët në Shqipëri nuk janë prekur në asnjë kohë, nga asnjë kod. Çfarë tjetër duhet të ndodhë që Edi Rama të reagojë??? Tanimë heshtja e kryeministrit e bën atë vetë pjesë të zinxhirit kriminal që po trondit çdo ditë qytetarët e vendit”, përfundon deklaratën e tij deputeti i PD.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit