
Tritol, granata, bomba dore ofensive dhe defensive, janë zbuluar në Sarandë, duke risjellë në vëmendje klimën e pasigurisë që ka pushtuar vendin për shkak të serisë së atentateve me eksploziv që nuk kanë të ndalur.
Shtatë kallëpë tritoli, një sasi fitili zjarrpërcjellës, tre ndezësa granate, dy pjesë lëndë plasëse, një granatë ofensive dhe një bombë dore difensive, janë arsenali ushtarak që u zbulua nga efektivat e Komisariatit të Policisë Sarandë me mbështetjen e Forcave Speciale FNSH.
Burime zyrtare nga policia lokale i thanë agjencisë noa.al, se operacioni i koduar me emrin “Piramida” erdhi pas informacioneve të marrë në rrugë operative, sot në orët e para të ditës, midis fshatit Ninat dhe Janjar.
“Në vendin e quajtur “Vulister” janë kapur cilësinë e provës materiale sasia e arsenalit luftarak si dhe 145 kg lëndë narkotike “Canabis sativa”, – konfirmoi policia.
Ajo tha se kreu arrestimin në flagrancë të 53 vjeçarit Halit Muharrem Hasani, banues në fshatin Ninat, komuna Markat, Sarandë, i dënuar më parë.
Policia thotë se fillimisht u zbulua droga në katër çanta dhe më tej në stanin e të arrestuarit, sasia e eksplozivëve.
Mendohet që lënda narkotike ishte afruar në afërsi të kufirit me Greqinë për t’u transportuar në një moment tjetër. Kurse sa i përket eksplozivëve policia nuk është në gjendje ende të qartësojë origjinën e tyre dhe arsyet pse gjendeshin tek i dyshuari.
Kohët e fundit ka pasur disa raste të gjetjes së tritolit në sasi të mëdha, nën dyshimet se përgatiteshin akte të ndryshme kriminale me shpërthim. /e.gj/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





