Transmetuar më 28-04-2014, 13:25

Tiranë, 28 prill 2014, NOA.al- Ndërsa komisioni për reformën territoriale administrative nisi sot punën duke mbajtur mbledhjen e parë në mungesë të opozitës, vjen reagimi i Kryeministrit Edi Rama.

“Reforma territoriale çelës suksesi i vendit në rrugën e modernizimit dhe integrimit, opozita e mirëpritur por Shqipëria s’ka kohë për të humbur”, shkruan Rama në profilin e tij në Facebook.

Më herët në fjalën e mbajtur gjatë mbledhjes së komisionit Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, deklaroi se do të bëhet transparencë për reformën dhe do të plotësohen kërkesat.

Nga ana e tij kreu i këtij komisioni, Bashkim Fino, deklaroi se do të punohet për tu rifituar koha e humbur.

Fino shtoi se deri më 15 maj do i jepet kohë qeverisë dhe ministrit që të sjellin disa variante të hartës së re të ndarjes territoriale.

Në këtë linjë ai shtoi se më tej duke shqyrtuar variantet, komisioni do të aprovojë më të mirin, dhe më tej do të merret mendimi i kryetarëve të bashkive dhe komunave dhe vetëm pasi të jenë marrë sugjerimet dhe vërejtjet përkatëse nga organet e pushtetit vendor, do të merret miratimi për hartën e ndarjes së re territoriale.

Po ashtu Fino theksoi se do të miratohet lista e dëgjesave, e cila do të mbetet e hapur për çdo ndryshim apo sugjerim të ri./a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit