Transmetuar më 28-04-2014, 13:19

Enigma e zgjedhjeve të afërta në Kosovë këtë herë është e madhe. Askush nuk e parashikon dot lehtë fituesin dhe aq më pak koalicionet e mundshme paszgjedhore. Por për Isa Mustafën ka vetëm një mundësi dhe ai duket se ende nuk e ka kuptuar siç duhet këtë. Ai duhet të fitojë numrat për të qeverisur Kosovën. Humbja ose edhe një koalicion “në emër të stabilitetit” me PDK, do të shënonin fundin e tij dhe ndoshta të vetë LDK

Nga Armand Shkullaku

Një anketë e para disa ditëve e gazetës Express në Kosovë, se cili do të ishte politikani më i preferuar i lexuesve për kryeministër, rendiste të dytin pas Hashim Thaçit, jo Isa Mustafën, kryetarin e partisë më të madhe opozitare LDK, por Albin Kurtin, liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, aktualisht forca e tretë politike në vend. Express, dikur e njohur për afërsinë me kryeministrin e Kosovës, ka qenë mjaft kritike, madje e ashpër, në raport me Vetëvendosjen, kështu që rezultati i votimit online bëhet edhe më befasues. Në prag të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, kjo anketë që padyshim nuk është një studim profesional, paralajmëron megjithatë se ndryshime të rëndësishme politike mund të ndodhin në Kosovë. Ajo është një reflektim i perceptimeve të votuesve veçanërisht muajt e fundit.

Pa dyshim që LDK mbetet sot për sot partia më e madhe opozitare, por aksioni i saj politik lë shumë për të dëshiruar. Nëse një sy i huaj do të ndiqte aktivitetin politik sot në Kosovë, do t’i krijohej përshtypja se Hashim Thaçi e PDK janë në opozitë e synojnë pushtetin, ndërsa Mustafa e LDK janë zyrtarët që kërkojnë të ruajnë karriget e tyre. Për krahasimin mes fushatës së Thaçit e asaj të Mustafës është folur shumë së fundi, ndërkohë që kontrasti mes vetë opozitës është edhe më i fortë. Vetëvendosje, ndonëse në numra më e vogël se LDK, nuk po lodhet së shfaquri ambicie dhe vullnet për t’u shndërruar në forcë kryesore. Kjo energji e VV e evidenton edhe më shumë impasin ku ka rënë LDK. Fitorja spektakolare në Prishtinë, i ka dhënë një motiv të madh për të hyrë plot besim në fushatë. “Ashtu siç e kemi mundur Isa Mustafën në Prishtinë, Albin Kurti do ta mundë Hashim Thaçin në nivel Kosove”, deklaroi Shpend Ahmeti, kryetari i Prishtinës, në një tubim në Klinë. Kjo eufori apo entuziazëm i ligjshëm pas një fitoreje si ajo në kryeqytet padyshim që ndikon tek zgjedhësit që tashmë nuk e shohin VV thjesht si një nga partitë e vogla vota për të cilën mund të shkojë dëm, por si një alternativë të mundshme për të zëvendësuar klasën e konsumuar politike. Prandaj nuk është çudi që Kurti të renditet si mundësi e parë për të mundur Thaçin.

Nga ana tjetër, pavarësisht qëndrimit dinjitoz në opozitë të Isa Mustafës që mori një LDK të kompromentuar nga bashkëqeverisja me PDK, ai nuk arriti ta reformojë këtë parti. Ai i ktheu asaj fytyrën, por nuk mundi t’ia zhdukë rrudhat. Në LDK nuk ndihet freskia dhe energjia e rinisë, që janë aq të nevojshme për të sjellë përmbysje të mëdha. Vetëvendosje i ka të dyja, edhe moralin opozitar edhe vrullin që e kërkon ndryshimi. Kjo diferencë e rëndësishme është e dallueshme edhe në sytë e votuesve që janë të lodhur nga drejtimi politik i 15 viteve të fundit. Veçanërisht tek rinia, e cila përbën një nga pjesët më të rëndësishme të trupës votuese në Kosovë. Rasti i Prishtinës është një shenjë e qartë në këtë drejtim.

E ndërsa LDK ka nevojë imediate për gjak të ri, është VV që po hapet gjithnjë e më shumë drejt emrave të njohur e me reputacion pozitiv në opinionin publik. Nëse edhe Ilir Deda (ish- themelues i FER) i shtohet radhëve të VV, ky do të jetë një avantazh tjetër në zgjedhjet e ardhshme. Albin Kurti, i njohur për qëndrimet e tij radikale, po shkon pak nga pak drejt moderimit, duke e kërcënuar seriozisht Isa Mustafën në një nga pikat e tij më të forta. Fryma e LDK që ka bërë për vete mijëra votues, në kontrast me PDK, ka qenë pikërisht moderacioni dhe qytetaria në politikë. Por ky aset i lënë trashëgimi nga Rugova, ka mbetur i pazhvilluar, më shumë si një relike muzeale sesa një vlerë që duhet shndërruar në vota. Me Shpend Ahmetin në Prishtinë dhe prurjet e reja në këtë linjë, Vetëvendosje tenton t’i bëjë të ndihen mirë edhe ata votues që nuk e pëlqejnë politikën radikale. Albin Kurti po sheh gjithnjë e më shumë përtej gardhit të tij elektoral, e me lëvizjet e fundit LDK ka arsye të ndihet e kërcënuar. Ose të paktën të zgjohet nga ëndrra se mund ta fitojë Kosovën “me duart në xhepa”.

Enigma e zgjedhjeve të afërta në Kosovë këtë herë është e madhe. Askush nuk e parashikon dot lehtë fituesin dhe aq më pak koalicionet e mundshme paszgjedhore. Por për Isa Mustafën ka vetëm një mundësi dhe ai duket se ende nuk e ka kuptuar siç duhet këtë. Ai duhet të fitojë numrat për të qeverisur Kosovën. Humbja ose edhe një koalicion “në emër të stabilitetit” me PDK, do të shënonin fundin e tij dhe ndoshta të vetë LDK. Atëherë Express nuk do të ketë nevojë të bëjë anketa. Koha do të jetë për Albin Kurtin. /Gazeta Mapo/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit