Transmetuar më 27-04-2014, 17:26

Tiranë, 27 prill 2014, NOA.al- Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha priti në takim kryetarin e parlamentit grek Vangelis Meimarakis, ku u diskutua për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe procesin e integrimit europian të Shqipërisë gjatë drejtimit të Presidencës së Bashkimit Europian nga Greqia.

Basha vlerësoi mbështetjen e Greqisë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe për lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë në zonën Shengen, dhe shprehu mirënjohjen për këtë mbështetje si dhe urimin që gjatë presidencës greke të BE-së, Shqipëria të marrë

statusin e vendit kandidat.

Duke u ndalur në marrëdhëniet e mira mes dy vendeve, Basha tha se është bërë progres në lënien pas të problemeve të së shkuarës dhe zgjidhjen e shumë çështjeve që kishin mbetur pezull, dhe në këtë kuadër bëri apel për angazhim të mëtejshëm të dy vendeve e qeverive për të zgjidhur dhe çështje të tjera, si ajo e pronave të qytetarëve çamë të shpërngulur pas luftës së dytë botërore.

Kryeopozitari vlerësoi vëmendjen e autoriteve greke ndaj momenteve të veçanta siç ishte rasti i Ilia Karelit, dhe shprehu bindjen se drejtësia e vendit fqinj do të bëjë punën e saj për zbardhjen e ngjarjes.

Basha theksoi se ndonëse marrëdhëniet mes dy vendeve janë shumë të mira ka ende potenciale të pashfrytëzuara për të thelluar dhe konsoliduar më tej këto marrëdhënie, dhe se për këtë duhet të mbizotërojë vullneti i mirë politik dhe vendosmëria për të hapur një kapitulli të ri bashkëpunimi edhe më të ngushtë e të frytshëm në të gjitha fushat.

Duke vlerësuar përkushtimin e Greqisë ndaj perspektivës europiane të Europës Juglindore, Basha shprehu bindjen se njohja formale e Kosovës nga shteti helen do të shërbejë për konsolidimin e proceseve integruese në Ballkanin Perëndimor./a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit