
Tiranë, 27 prill 2014, NOA.al- Deputetja socialiste Olta Xhaçka, akuzoi opozitën se po kalon ditë të turbullta me avionë imagjinarë që ulen nëpër rrugët e vendit, me naftën që rritet e bllokon lëvizjen e makinave, me ilaçet që shtrenjtohen përditë dhe me gjithfarë fantazish që po gajasin dynjanë.
“Por nuk është aspak për të qeshur sepse një opozitë e turbulluar kaq keq, është një problem i madh për shoqërinë. Shqipërisë nuk i duhet vetëm një Qeveri e përgjegjshme si kjo që kemi, por edhe një opozitë e përgjegjshme që fatkeqësisht po na mungon gjatë. Ne urojmë dhe shpresojmë me gjithë zemër që Partia Demokratike të bëjë një orë e më parë atë që populli shqiptar bëri në 23 qershor dhe të çlirohet nga pengmarrësit e saj”, shpreh Xhaçka.
Në këtë linjë ajo shtoi se një Parti Demokratike e çliruar prej të shkuarës është garancia që i mungon sot në opozitë Shqipërisë./a.y/noa.al/
Deklarata e plotë për shtyp e deputetes së PS Olta Xhaçka
"Turbullira e opozitës vazhdoi edhe sot, kur në deklaratën më të fundit nga selia e SHQUP-it u fol sërish për avionë fantazmë që fluturojnë mbi Shqipëri duke transportuar drogë dhe për dëshmitarë imagjinarë që përgënjeshtrojnë radarët dhe teknologjinë më të fundit të ekspertëve të huaj dhe atyre shqiptarë.
Në fakt ky është i vetmi plan i opozitës. Gënjejnë sa të munden me shpresën se diçka mund të mbetet.
Njësoj siç thanë në dhjetor se çmimi i naftës do rritej aq shumë sa makinat nuk do lëviznin më.
Njësoj siç gënjyen edhe sot për ekonominë, pikërisht në ditën kur të dhënat tregojnë se eksportet në mars janë 10% më të larta se një vit më parë, pasi Shqipëria i është kthyer punës dhe prodhimtarisë.
Sot shumëkush qesh me imagjinatën e turbulluar të opozitës, por në fakt është për të ardhur keq, pasi Shqipërisë nuk i duhet vetëm një maxhorancë e përgjegjshme, por edhe një opozitë e përgjegjshme.
Çdo ditë e më shumë bëhet e domosdoshme që edhe PD, njësoj siç bën shqiptarët në 23 qershor, të çlirohet nga pengmarrësit e saj."
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





