Transmetuar më 27-04-2014, 12:20

Tiranë, 27 prill 2014, NOA.al- Zëdhënësia e PD, Laura Vorpsi, në një deklaratë për mediat u shpreh se shëndetësia në Shqipëri po kalon ditë të vështira.

“Çmimi i ilaçeve po rritet, dhe Ministri shkel ligjin, ndërhyn në tender për interesa klienteliste duke hequr dhe sigurinë e medikamenteve”, deklaroi Vorpsi.

Ajo shtoi se shëndetësia në terren është kapluar nga nepotizmi, nga favorizimi i kushërinjve qeveritarë dhe familjarëve të drejtuesve, me farmacitë e reja që kanë mbirë në dyert e spitaleve.

“Shëndetësia e rilindjes po rehabiliton edhe mjekë që janë ndëshkuar më parë për abuzime. Me Edi Ramën Kryeministër, nepotizmi në shëndetësinë e Tropojës ka njohur raste të padëgjuara kurrë më parë”, u shpreh Laura Vorpsi.

Ajo ilustroi çka tha më sipër, duke bërë të ditur se drejtori i shëndetit publik të këtij rrethi, Kongres Imeraj, i caktuar nga rilindja, vetëm dy ditë pasi ka marrë detyrën, ka emëruar mjeke familjeje gruan e tij.

“Gruaja e drejtorit është infermiere dhe pa shkollën e lartë. Meqënëse shkelja ishte e madhe dhe nepotizmi edhe më i madh, drejtori e emëroi më pas gruan e tij shefe të higjienës në rrethin e Tropojës”, deklaroi Vorpsi.

Ajo ktheu edhe njëherë në kujtesë faktin që pak vite më parë, emisioni investigativ “Fiks Fare” zbuloi rastin e një mjeku në Krujë, i cili i dërgonte pacientët për të bërë analiza dhe eko në klinikën e tij private që drejtohej nga bashkëshortja. Në vijim të fjalës, Vorpsi bëri të ditur se ky mjek, Durim Herri u akuzua për shpërdorim detyre dhe u pezullua për 9 muaj, si masë administrative.

“Sot ky mjek është bërë drejtor i Spitalit të Krujës.

Ky është vizioni i Edi Ramës për shëndetësinë, ky është modeli i tij i ofrimit të këtij shërbimi”, përfundoi zëdhënësia e PD, Laura Vorpsi./Noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit