
Tiranë, 26 prill 2014, NOA.al- Partia Demokratike, nëpërmjet zëdhënëses Laura Voprpsi, denoncoi sot dëshmitë e reja tronditëse, të cilat tregojnë se avionët e drogës, janë ulur në territorin tonë, janë ngarkuar me mall dhe janë larguar.
“Genti Kuqi, banor i Bedatit në Lushnjë deklaroi, se ka parë avionin të ulet në rrugën Bedat-Adriatik. Disa persona me fuoristradë e kanë ndaluar atë dhe 20 banorë të tjerë dhe nuk i kanë lënë të kalojë për 25 minuta derisa avioni është ulur dhe ka ikur sërish.
Kjo dëshmi, dëshmitë e banorëve të Kardhiqit, dokumente zyrtare të bëra publike, janë tregues rrëqethës të faktit se territori i Shqipërisë është kthyer në një pistë të narkotrafikantëve. Në Gjadër, në Lushnje, në Kardhiq, etj, avionë ngarkohen me drogë dhe e trafikojnë atë në vende të tjera”, u shpreh Vorpsi.
Ajo shtoi më tej se këto dëshmi regjistroi edhe gazetari Telnis Skuqi, i cili u kërcënua me jetë, sepse prishi rehatinë e trafikantëve. Sipas Laura Vorpsit, kërcënimi i gazetarit me një kokë të prerë dhie ishte një akt mafioz tronditës e akoma më tronditës është fakti se edhe sot e kësaj dite kryeministri Rama hesht për këtë akt gangsterësh duke u vetëdenoncuar si palë me narkotrafikun dhe jo me të vërtetën.
“Kjo është një situatë e paprecedentë. Dëshmitë tregojnë se në 7 muaj të qeverisjes Rama-Meta, Shqipërinë e kanë shtënë në dorë narkotrafikantët, droga ka plasur sheshit dhe trafiku i saj bëhet me çdo mjet e mundësi” vijoi më tej zëdhënësja Vorpsi..
Ajo shtoi se dyshja Rama-Meta, në vend të marrin masa urgjente, tallen dhe përdhosin zyrat më të larta të shtetit, aulën e parlamentit duke u marrë me gjueti mushkonjash.
Ajo përfundoi duke i kërkuar në emër të Partisë Demokratike, Prokurorisë, Policisë së Shtetit, të ngrihen në rolin që u ka ngarkuar kushtetuta, të bëjnë detyrën dhe të mbrojnë republikën tone nga kjo kanosje që po i bëhet prej trafikut të drogës. /a.s/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





