
Në parkun kombëtar “Lugina e Valbonës” është nënshkruar ditën e enjte, më 24 prill, marrëveshja për zhvillimin e turizmit midis përfaqësuesve të WWF Mesdhe, Ministrisë së Mjedisit, qeverisjes lokale, shërbimeve të mikpritjes dhe komunitetit të zonës.
Kjo marrëveshje u arrit pas 6 muaj pune përgatitore të projektit Parqet dinarike të Shqipërisë dhe u nënshkrua në prezencën e më shumë se 40 pjesëmarrësve.
Sipas Andrea Stefan, përfaqësuese e WWF, kjo marrëveshje shënon fillimin e procesit që do të vendosë Valbonën në hartën e parqeve evropiane më të vizituar.
“Certifikimi si park europian me turizëm të qëndrueshëm është mjet i shkëlqyer për promovimin e turizmit dhe zhvillimin e ekonomisë së zonës. Kështu natyra dhe njerëzit punojnë bashkë për të bërë më të mirën për Valbonën”, u shpreh Stefan.
Nga ana e tij, Kryetari i Komunës Margegaj, Rexh Biberaj u shpreh se ndihej krenar që ai dhe gjithë të pranishmit do të mund t’ju tregojnë turistëve bukuritë e Valbonës.
“Ne duam që turistët e huaj dhe vendas të njohin mikpritjen e malësorit dhe thesaret e kulturës sonë. Me anë të certifikimit të parkut të Valbonës ne synojmë të promovojmë produktet ushqimore dhe artizanale të zonës, si markat tona lokale”, u shpreh Biberaj.
WWF dhe INCA (Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri) do të mbështesin grupet e interesit të zonës së Valbonës drejt ngritjes së një modeli të ri turizmi në parqet kombëtare që mund të ndiqet në të ardhmen nga 14 parqe të tjera të Shqipërisë.
Puna e përbashkët në një forum të përhershëm të aktorëve lokalë dhe përgatitja e një strategjie zhvillimi janë dy prej kritereve më të rëndësishme për procesin e aplikimit për certifikim.
Në përpjekje për ta bërë rajonin e Parqeve Dinarike një markë turistike tërheqëse për turistët e huaj, WWF po mbështet në të njëjtën mënyrë 16 parqe të rajonit të Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në Federatën Europiane të Parqeve.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





