
Tiranë,25 prill 2014, NOA.al- Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes z. Arben Ahmetaj priti sot në Tiranë Ministrin e Malit të Zi për Turizmin dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, shoqëruar nga një delegacion i nivelit të lartë.
Ministri Ahmetaj u shpreh se ka një platformë shumë të mirë për zhvillimin ekonomik të dy vendeve. Shqipëria ka shumë për të mësuar nga suksesi i Malit të Zi në fushën e turizmit. Rritja e shkëmbimeve të produkteve kombëtare, investimet në infrastrukturë, hekurudha, turizëm, energji dhe qasja rajonale e projekteve do të kontribuojnë në zhvillimin e rajonit si një i tërë – vuri në dukje Ministri, ndërsa avancoi propozimin e Ministrit të Malit të Zi për ngritjen e një komisioni të posaçëm, duke thënë se puna për këtë gjë do të fillojë nga dita e Hënë.
Në takim, Ministri i Malit të Zi, Z. Branimir Gvozdenovic shprehu gatishmërinë e vendit të tij për të shkëmbyer eksperiencën e Malit të Zi me Shqipërinë në fushën e turizmit dhe jo vetëm.
“Pa dyshim që kemi shumë fusha që duhet t’i zhvillojmë. 30.000 turistë nga Shqipëria vizitojnë Malin e Zi çdo vit. Ne jemi ndër destinacionet që parashikohet të kenë rritjen më të shpejtë të turizmit në 10 vitet e ardhshëm dhe jemi të gatshëm t’i ndajmë këto eksperienca me ju. Shkëmbimi i produkteve, infrastruktura, eksperienca juaj e mirë në fushën e sipërmarrjes për të cilën dimë që keni punuar shumë, krijimi i një komisioni të posaçëm që do të ndihmojë veç të tjerash edhe investitorët e te dy vendeve për projektet me interes të përbashkët. Ne sot kemi një rrugë të përbashkët drejt integrimit euroatlantik. Ju jeni pjesë e NATO-s, ne jemi në proces për t’u bërë anëtar i Aleancës, prandaj eksperienca juaj do të na vinte në ndihmë për procesin tonë të anëtarësimin” – tha Z. Gvozdenovic.
Projektet në fushën e energjisë dhe gazit u vlerësuan gjithashtu me interes për investime nga të dy vendet. Noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





