
Cristiano Ronaldo e shikon përballjen e kthimit në Champions League si një finale të parakohshme. Gjatë një interviste për llogari të sponsorit Nike, portugezi e pranon se mungesa në fushën e blertë ndikoi në formën e tij gjatë takimit të parë. “Në Mynih do të luajmë si në shtëpi. Bayerni është një skuadër e madhe, por ne kemi një avantazh minimal dhe unë besoj shumë se do të na hyjë në punë.
Në “Allianz Arena” do të jetë shumë e vështirë por edhe ne kemi armët tona sekrete dhe besoj se do të arrijmë të shënojmë minimalisht një gol”.
Në vijim, sulmuesi luzitan përqëndrohet te fakti se në Madrid ky trofe po kthehet në një obsesion.
“Të gjithë tifozët tanë ëndërrojnë La Deciman. Kjo gjë po kthehet në një obsesion tashmë, madje ushtron edhe presion mbi ne lojtarët.
Gjatë vitëve të fundit kemi luajtur tre gjysmëfinale por asnjë finale prandaj duhet të luftojmë deri në sekondat e fundit”.
Finalja e këtij sezoni është caktuar në Lisbonë dhe ky fakt e bën edhe më speciale një ndeshje të mundshme të Topit të Artë në vendin e tij.
“Është një ëndërr për mua që të luaj një finale në Lisbonë, por aktualisht nuk dua të mendoj për finalen”.
Në fund, Ronaldo radhit edhe objektivat e tij kryesorë të vitit 2014.
“Tani jam shumë i përqëndruar te Champions League dhe më pas dua të mendoj për botërorin.
Mua më pëlqejnë sfidat e mëdha. Me Portugalinë jam kapiten dhe në kombëtare ndihem shumë komod”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





