Transmetuar më 25-04-2014, 19:09

Tito Vilanova ndërron jetë. Në pasditen e së enjtes u mësua se ishte shtruar për të disatën herë në një spital të Barcelonës për problemet e gjeneruara nga kanceri në gjendrat limfatike, që e kishte goditur që në 2011-ën.

Ish trajneri i Barcelonës ishte operuar për herë të katërt të enjten dhe gjendja e tij shëndetësore mbetej tepër e rëndë, citon Supersport.

Shtrimi në spital kishte ndodhur prej pak ditësh, por lajmi u mbajt sekret, asnjë gazetë spanjolle apo katalanase nuk kishte shkruar asgjë në respekt të teknikut që fitoi La Ligan e vitit të kaluar.

Lajmi gjithsesi i shpëtoi dikujt, dhe Twitter bëri pjesën tjetër duke e bërë lajmin publik.

Vilanova ishte 45 vjeç dhe sëmundja iu diagnostikua për herë të parë kur ishte asistenti i Pep Guardiolës në 2011. Pas operacionit dhe kurave pati një përmirësim, por në dhjetor të 2012-ës erdhi dhe përkeqësimi i gjendjes.

Në atë kohë Tito ishte trajneri i Barçës. Vilanova la stolin, për t’u operuar dhe pastaj shkoi të kurohej në New York duke u kthyer në Barcelonë në fillim të prillit, në kohë për ta udhëhequr skuadrën drejt titullit.

Në 19 korrikun e kaluar bëri të ditur lamtumirën ndaj stolit për shkak të rishfaqjes së sëmundjes, ndërsa pak muaj më parë erdhi dhe shfaqja e fundit publike në “Camp Nou” për të parë një ndeshje.

Mbrëmjen e së enjtes erdhi dhe lajmi i shtrimit në spital bashkë me raportimin se gjendja ishte vërtet e rëndë dhe më pas për fat të keq dhe ai i vdekjes, Vilanova nuk ia doli të fitonte betejën më të rëndësishme, atë për jetën.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit